Sfida e kësaj jave mes Besës dhe Korabit ishte një takim deçiziv për të dyja ekipet të cilat rrezikojnë seriozisht rënien në një Kategori më poshtë.
Takimi i zhvilluar në Kavajë përfundoi me rezultatin 2-1 në favor të skuadrës kavajase e cila merr tre pikë të rëndësishme për luftën e mbijetesës përballë një rivali direkt.
Por, kjo humbje nuk ka kaluar pa polemika pasi ekipi i Korabit e ka kontestuar ashpër gjykim e ndeshjes, ku sipas tyre ka qenë në favor të skuarës kundërshtare.
Trajneri i skuadrës Dorjan Bubeqi pas përfundimit të ndeshjes hodhi akuza ndaj arbitrit të ndeshjes i cili e la skuadrën e tij me 9 lojtarë.
“Më vjen mirë që Besa ka bërë gjithçka për të na mundur në këtë takim. Të rrafësh Korabin duhet ta lësh me 8, 7 apo 6 futbollistë. Edhe me 8 lojtarë arbitri prapë na kishte frikë. Më vjen keq që këta lloj arbitrash prishin garën dhe na detyrojnë edhe ne që të dalim nga vetja. Në fushën tonë luhet gjithmonë futboll.
Mund të them se ky arbitër di të bëj më mirë dhe sot ishte në ditën më të errët të tij. Nuk e kuptoj se përse lodhemi gjithë javën dhe në fund një arbitër të prish gjithçka. Megjithatë do t’i them atij që kur të vijë herën tjetër me të njëjtën qëllim, të na nxjerrë 4 futbollistë me të kuq që të jetë më i sigurtë.
Nuk kam asnjë ankesë për lojtarët në fushë. Ai gjykim ishte tendencioz për të larguar sa më shumë futbollistë të Korabit me karton të kuq. Ai ishte një arbitër palaco dhe nuk ja vlen të flas më shumë”, shprehet Bubeqi.
Në një video të siguruar nga Gazeta TemA, në një moment të lojës shihet qartë që Bubeqi ka hyrë brenda fushës së lojës për të qetësuar lojtarët e tij të cilët po protestonin ashpër arbitrin për vendimet që po merrte kundër tyre.
Bubeqi mundohet të qetësoj vetëm lojtarët e tij dhe nuk bën asnjë kontestim ndaj arbitrit Alla. (TemA)