Tiranë-Elbasan, rruga qe nuk mbaron. Raporti paraprak: Duhen mbi 22 milionë dollarë

12 Mars 2018, 20:44Ekonomia TEMA

Rruga Tiranë-Elbasan është kthyer në një gropë të madhe për buxhetin e shtetit duke përsëritur një skenar të ngjashëm me atë të rrugës Durrës-Kukës.

Ndonëse një vit më parë qeveria dha 35.1 milionë dollarë shtesë mbi vlerën e tenderit, prej 1 muaj e gjysmë punimet për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan janë ndërprerë plotësisht. Arsyeja është se kanë mbaruar paratë dhe kërkohen fonde të tjera.

Burime nga Ministria e Transporteve konfirmojnë se punimet janë ndërprerë për shkak të mbarimit të parave dhe se rruga kërkon fonde shtesë. Por sipas tyre shuma e saktë që kërkohet nuk dihet ende pasi duhet të miratohet më parë nga këshilli teknik në autoritetin rrugor. Por sipas një raporti paraprak të kryer nga supervizori në qershor të vitit 2016 rruga mund të kërkojë edhe 22 milionë dollarë të tjera mbi shtesën prej 35.1 milionë dollarë që u dha vjet.

Ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan filloi në prill të vitit 2011 nga ish qeveria e Sali Berishës. Fillimisht rruga u tenderua me një çmim 290 milionë dollarë dhe ishte parashikuar që të përfundonte në vitin 2014. Por gjatë ndërtimit, projekti rezultoi me probleme dhe kostoja është rritur vazhdimisht duke çuar edhe në arrestimin e ish drejtorit të Autoritetit Rrugor, Dashamir Xhika.

Sipas të dhënave zyrtare deri më tani kostoja totale e Tiranë Elbasan ka arritur në rreth 370 milionë dollarë, por edhe kjo shumë nuk është përfundimtare. Me fondet e tjera shtesë që kërkohen kostoja e rrugës shkon në plot 400 milionë dollarë ose 40 për qind mbi vlerën e tenderuar.

Një skenar i ngjashëm me rrugën Durrës-Kukës, ku kostot kanë dalë jashtë kontrollit. Por me një ndryshim. Rruga Tiranë-Elbasan, e cila duhet të ishte ndërtuar që në vitin 2014, nuk mbaron asnjëherë.(TCH)

3 komente në “Tiranë-Elbasan, rruga qe nuk mbaron. Raporti paraprak: Duhen mbi 22 milionë dollarë”

  1. Refugjati says:

    Kjo rruge ka mbi 10 vjet qe ka filluar dhe nuk po mbron..pra vjedhje dhe vjedhje nga te gjitha qeverite
    N q se prokuroria nuk vepton , atehere te vet populli duhet te cohet dhe ti masakroj per se gjalli te gjith ata qeveritar qe grabisin dhe padurohen me taksat e popullit

  2. Hodo Doce says:

    Edhe nje here me pare kam shkruar per te. Ajo pjese rruge, por sidomos pjesa nen fshatin Mushqeta, çfardo qe te behet, kurre nuk do kete stabilitet. Shikoni shkrimin ne revisten “shkenca dhe jeta”, me duket te vitit 1981, te ing. gjeolog Defrim Shkupit “nje milion m³ dhe qe rreshqasin” dhe pastaj do bindeni. Me sa me kujtohet, ideja e nje projekti te asaj rruge ka qene ne vitet 70-te, por gjithmone ne krahun e djathte te rrjedhes se lumit per arsye gjeologjike shume me te mira te terrenit ku mund te projektohej gjurma e rruges, etj.

  3. Mersin says:

    Po cila rruge ka mbaruar ne kete vend?! Korrupsioni ne sipermarrjen e rrugeve eshte marramendes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje