Rrëfimi i Hysni Zelës për të motrën, Vaçen: Ishim shumë të varfër, s’kishim as bukë të hanim. Ajo na mori të gjithëve në Tiranë. Në fillim e quajtën të paaftë, pastaj…

27 Mars 2018, 09:35Kulturë TEMA

Më 6 shkurt 2014 muzika shqiptare mbeti pa mbretëreshën e saj. Vaçe Zela ndërroi jetë në Bazel të Zvicrës duke lënë një boshllëk të madh në muzikën dhe artin shqiptar.

Në këtë katër vjetor, i vëllai i saj Hysni Zela, dha një intervistë interesante për gazetarin Roland Qafoku në emisionin “Debati në Channel One” duke ndarë shumë emocione, por edhe fajkte dhe detaje që vijnë për herë të parë .

 “Vaçen nuk e shpallën fituese të konkursit për në lice, e quajtën të paaaftë!

“Është një humbje e madhe. Nuk humba vetëm unë motrën dhe familja jonë njeriun e dashur.

Por është një humbje e madhe për të gjithë muzikën dhe kulturën shqiptare, veçanërisht për popullin.

Është rasti të them se nuk ka një njeri që e zbuloi talentin e saj. Vaçja zbuloi veten në shtëpinë tonë në Lushnje, se ne kemi lindur të gjithë në Lushnje.

Madje ka një fakt interesant. Vaçja lindi ditën që Italia pushtoi Shqipërinë por nuk e përmendin këtë dhe vitin e lindjes ia shënuan me qëllim në 1938.

Kishim një bahçe përpara shtëpisë dhe Vaçja aty këndonte çdo ditë, dhe imagjinoni edhe pse ishte fëmijë ajo bënte vokalica.

Këndonte çdo lloj këngësh, shqiptare e të huaja. Nisi të këndonte në shtëpinë e pionerit në qytetin e  Lushnjes dhe aty spikati.

Aty u zbulua si talent dhe e kërkuan të vinte në Tiranë. Erdhi në Tiranë në moshën rreth 15 vjeçare dhe filloi shkollën.

Në fakt në fillim konkurroi për në liceun artistik por për habi nuk fitoi konkursin, duke e nxjerrë të paaaftë.

Kur e kanë marrë në pytje ka qenë në komision Marie Kraja. Bashkë me të ka qenë edhe një soprano bullgare.

Ka shumë mundësi që bullgarja të ketë menduars e Vaçja nuk ka qenë për muzikë lirike dhe kjo duhet të ketë qenë arsyeja që nuk ia ka dhënë konkursin.

Më pas Vaçja kreun gjimnazin “Qemal Stafa” dhe më pas fitoi konkursin për në institutin e Arteve në degën dramë.

Por e ndërpreu pasi mbaroi vititn e dytë dhe nuk u diplomua. Madje ka luajtur edhe një dramë.

Ajo e ndërpreu shkollën edhe me arsyen se duke qenë familje e varfër dhe me shumë fëmijë, të gjithë ushqimet ti merrte Vaçja.

Ishte momenti që ajo bëri shkëputjen e madhe si këngëtare dhe ajo nuk mund të ishte edhe aktore edhe këngëtare. Kënga ishte ajo që qëlloi në shenjë.

Pak kohë pasi erdhi në Tiranë ajo na mori të gjithë familjen, të 6 fëmijët dhe prindërit.

Tirana na dukej si Amerika. Kur shikonim një makinë me tërgën LU ngazëlleheshim.

Kam dëgjuar që disa thonë se jemi me orgjinë nga Kosova. Unë nuk e di këtë, mund të jetë e largët por nuke  di.

Unë di që jemi lushnjarë autoktonë, aty kemi qenë prej shumë e shumë kohësh.

Ne merreshim me bujqësi. Babai e shiti shtëpinë kur erdhëm në Tiranë. Ishim shumë të varfër dhe jetonim me prodhimet e tokës që e punonin prindërit.

Vaçja e vogël vizitonte shpesh tokën ku punonin prindërit, por ishte e vogël dhe nuk punonte”.

Për vdekjen

“Ishte një humbje e madhe. Vaçja shkoi pas viti 1990 në Zvicër te e bija. Ajo kishte mundësi jetese më të mirë dhe Vaçja duke qenë e sëmurë ishte nën kujdesin shëndetësor.

Sivjet u mbushën 4 vjet nga humbja e Vaçes. Vaçja vdiq në Bazel por sipas amanetit e varrosën në Tiranë.

E bija Irma dhe bashkëshorti Pjetër herë pas herë vijnë në Tiranë. Madje duhet të themi se këtë varr të veçantë Irma ia ka sjellë nga India.

Më kujtohet një koncert që Vaçja dha në Greqi. I kthyem vizitën këngëtares Marinela. Ajo vetë ishte në sallën me 2 mijë spektatorë.

Kur këndoi Vaçja këngën e saj në greqisht salla u ngrit në këmbë. Shfaqja mbaroi dhe Vaçja shkoi direkt në garderobë.

Iu afrova dhe ajo mbylli derën. Ishte bërë e bardhë borë. U tremba shumë. Duket se i harxhoi të gjitha turbinat e trupit.

Aty pashë që për herë të parë pështyu gjak.

Kishte kaluar momente shumë të forta. Ndoshta aty ka nisur sëmundja e saj”.

Vëllai për motrën: Tri këngët që këndova me Vaçen

“Nuk e kam patur kurrë atë që thonë disa, hija e Vaçes ose që më quanin vëllai i Vaçes. Unë e kam patur për nder që isha dhe jam vëllai i Vaçe Zelës.

Nuk ka vend për krahasim dhe epitete të tilla. Kam provuar emocione të forta.

Kam kënduar me Vaçen vetëm tre duete. Por ato emocione nuk i kisha provuar kurrë. Madje përgjegjësia ishte shumë e madhe.

Edhe pse ishte motra ime kjo më bënte shumë herë më të përgjegjshëm.

Në këngën e parë që kënduam bashkë atë të Myzeqesë, unë kisha shumë emocione.

Madje strofën e tretë e këndova të dytën. Ajo më hodhi dorën në sup si mbështetje por mua mu duk si një vërejtje.

E kalova këtë siklet vetëm për faktin se strofa e tretë nuk kishte dallim me strofën e dytë dhe askush nuk e kuptoi.

Të këndoje me Vaçen ishte fat i madh. Shumë më pyesin përse vetëm 3 këngë këndove me të.

Vaçja thoshte kaq mjafton. Nuk duhet ta teprojmë.

Ajo ishte shumë e zgjuar dhe e dinte masën.  Kur në Zvicër realizuam një koncert enkas për Vaçen, ishte një moment i veçantë për mua.

Përpara se të nisja të këndoja i putha dorën. Ishte kënaqësi e madhe. Dhe një mirënjohje e madhe për udhërrëfyesin tim”.

Për këngët e sotme: Sot këndojnë ma, jep ta jap

“Teksti i këngës “Lemza” është shumë i bukur. Dëgjoni:

Ç’më kujton kaq shpesh mor djalë

Lemz or lemz më ler të qetë

Është turp i madh kur s’di një fjalë

Edhe lemza kisha mbet

Por sot nuk kam dëgjuar tekste të bukura. Nuk po e shohim më artin që kemi bërë dikur. Sot në tekste ka fjalë të tilla ma jep, ta jap. Nuk arrij ta besoj”.

8 komente në “Rrëfimi i Hysni Zelës për të motrën, Vaçen: Ishim shumë të varfër, s’kishim as bukë të hanim. Ajo na mori të gjithëve në Tiranë. Në fillim e quajtën të paaftë, pastaj…”

  1. Monkey says:

    Eh mor Hysni, vate koha e së bukurës, erdhi koha e Top Channel, Klan, Vizion, News 24 etj që promovojnë krimin, vrasjet, grabitjet, kurvërinë, drogën e qindra të këqija të tjera. Po quhet arritje e madhe kulturore se nxorri k**** në një shfaqje teatrale aktori e po quhen VIP-a këngëtar/e lloj lloj bushtrice. E hodhën tej kohën e Vaces, ka ardhur koha e Encës dhe shoqeve të saj.

  2. "BOHOTINA" says:

    I paharruar kujtimi i kesaj kengetarje te jashtezakonshme me permasa boterore. Na ka lumturuar me zerin e saj kur ishim te ngrysur. Po dhe ti Hysni nuk mbeteshe mbrapa. Ke kenduar mire.

  3. Theatrical says:

    E pavdekshe ngelet Vaçja

    “Po ku ka si ty moj Shqiperia ime
    Oj fisnikja përmbi gur
    Rrjedh ne kenge e ligjerime
    ballelarta me flamur”!!!

  4. "BOHOTINA" says:

    Te madhes e te paperseritshmes Vaçe Zela i kam kushtuar nje poezi ne librin tim me vjersha: “Trishtim me Heshtjen”, qe eshte libri i 12, botuar ne vitin 2017.

    KUR KËNDONTE VAÇE ZELA

    Kur këndonte Vaçe Zela
    flakë ndizej tërë atdheu.
    Na prekte zemrën në tela
    trëndafila, mbushej dheu.

    Gjëmonte dhe s’ mjaulliste
    me një timbër të kadifenjtë,
    këng’ e saj qe kur niste,
    zbuste dhe njerëz të sertë.

    Me “Qiellin e lumturisë”,
    çdo fije bari i jepte frymë.
    Qiellnajës së Shqipërisë
    shkrinte akuj edhe brymë.

    Ajo në këngë ishte mal
    në sulm nisej me taborë,
    dhe u ngrit në piedestal
    porsi Korab e si Tomorr.

    Me imazh të madhërishëm
    me kurorën plot lavdi
    edhe sot endet lavdishëm
    si një mit e si hyjni…

    Endet zëri i flijimit
    s’ kishte ndjenja inferiore;
    se në kudhrën e krijimit,
    gdhendi frymë hyjnore.

    Në atdheun e sa derteve
    në Shqipërinë e poezisë,
    monument mes monumenteve,
    një simbol i madhështisë.

    E tillë mbetet Vaçe Zela
    kjo hyjni me zërin ar,
    mbas saj i mahnitur ngela,
    jetën na bëri behar.

    Qiellin tundi si degë qershie
    frutat na ranë në tokë,
    kjo zonjë seç u vesh me yje,
    si askush tjetër në botë.

    Vajzë e thjeshtë Myzeqeje,
    në zemra ndezi flakadan,
    përjetë si gjaku në deje
    kombi në shpirt e mban.

  5. Baliu says:

    Krejt qka bojna, vetit ja bojna, ato qka bojna, na vet e hojna … Zanzibarian Dream

  6. alfredi says:

    Vaçja ne te vertete jeton akoma ,pamvaresisht se nuk ndodhet midis nesh fizikisht ,kenget ne gojen e saj duken te madherishme me nje timbim e jehone zhbiruese ne shpirtin tone .Vaçja ne skene nje kengetare e paarritshme , kendoj per njerezit , per jeten ,per atdheun tere jeten e saj .Nje nderim per kete artiste te madhe dhe nje nder per ne qe jetuam e patem fatim e madh ta shikojme kete artiste ne skene .

  7. Tironci says:

    Vacja ka qene kengetare e modhe dhe eshte shume e veshtire te vije me nje kengetare si ajo, dikur kishim varur shpresat se Parashqevia do ta zevendesonte, dhe me vone tek Anjeza, por asnjera nuk beri dot ate hapin e madh per te fituar perjetesine ne zemrat tona.
    Une jam Tironc mbi 400 vjet, dhe ne u rritem me muziken apo afersine e ketyre kengetareve si Vacja e Hysniu, dhe sigurisht qe na vjen keq dhe nostalgji qe nuk do e kemi mo mes nesh Vacen e madhe.
    Nje gje sa per kujtese ,Vacja ishte e detyrume te kendonte edhe per ate pushtet kurve komunistash, por sigurish ka qene e detyrume.
    Hysni mbaje koken lart se jo vetem Vacja por edhe ti, keni dhene ate me te miren qe jep njeriu per muziken Shqiptare, Dashurine.
    Hysni pac pleqeri te qete e me shendet.

  8. Martin says:

    Vace Zela ishte nje kengetare klasi jo vetem ne Shqiperi. Kendoi ne vendin dhe kohen jo-te duhur per te por me fat per Shqiperine. Edhe sot e kesaj dite mendoj qe nuk e ze dot ndonje kengetar(e) tjeter no.1 sic ishte Vacja.
    Sa per kuriozitet, megjithese Hysniu nuk e thote (nuk e kuptoj pse) talenti i saj u zbulua nga E Hoxha gjate nje vizite te paplanifikuar te tij ne qytetin e Lushnjes ku ajo kendoi me kitarre para tij. Edhe transferimi i saj ne Tirane (bashke me familjen ishte e pamundur ne ate kohe) u be me urdherin e tij.
    Gjithesesi, Vace Zela mbetet kengetarja me e mire e muzikes se lehte qe ka patur ndonjehere Shqiperia.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje