Kupa Shqipërisë/ Paqe në ndeshjen e parë mes Laçit dhe Kukësit

4 Prill 2018, 15:51Sport TEMA

Është mbyllur pa fitues ndeshja e parë gjysëmfinale e Kupës së Shqipërisë mes Laçit dhe Kukësit.

Takimi i parë i zhvilluar në fushën e kurbinasve u mbyll me rezultatin e bardhë 0-0 duke e lënë për në ndeshjen e kthimit fatin e skuadrës që do të kalojë në finale.

90 minutat e luajtura mes Laçit dhe Kukësit dhuruan një ndeshje të fortë dhe emocionuese, ku u krijuan mjaft raste për shënim për të dyja ekipet, por që në momentet e finalizimit nuk u treguan të saktë.

Ndeshja u shoqërua dhe me momente tensioni ku në minutën e 40-të ndeshja u acarua duke sjellë dhe irritimin e tifozëve të Laçit.

Musolli dhe Shtubina konfrontohen dhe ndëshkohen me karton të verdhë nga arbitiri Koçi, ndërsa tifozat hodhën edhe flakadanë në fushë.

Kukësi shënoi në pjesën e dytë një gol në minutën e 73-të me anë të Idrizit, por që u anullua nga ana e gjyqtarit Koçi për shkak të një faulli në zonë.

Gjithçka u mbyll me rezultatin e barabartë 0-0 dhe ekipi që do të kalojë në finale do të mësohet në ndeshjen e kthimit që do të luhet në “Zeqi Ymeri”, me verilindorët që janë disi më të favorizuar pasi luajnë në fushën e tyre.

Ndërkohë, në orën 17:00 do të luhet dhe ndeshja tjetër mes Skënderbeut dhe Flamurtarit. (TemA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje