Laçi-Kukësi/ Pakult: Shpërdoruam shumë, por na u mohua një gol; Mezani: Kualifikimi i hapur

4 Prill 2018, 16:25Sport TEMA

Trajneri i Kukësit, Peter Pakult, ka folur pas barazimit të marrë në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit.

Pakult u shpreh se ekipi nuk luajti shumë futboll edhe pse shpërdoi shumë raste, ndërsa shtoi se goli i shënuar nga Idrizi ishte i rregullt.

“Para ndeshjes ishim të bindur se do të ishte e vështirë, sepse e di që në këtë fushë është shumë e vështirë të marrësh rezultat. E dinim që do të shpenzonim shumë energji. Luftuam, por sot nuk luajtëm shumë futboll. Ka rëndësi që nuk pësuam gol dhe presim ndeshjen e kthimit.

Me zeron prapa jam i kënaqur, por duhej të shënonim në këtë ndeshje. Shënuam dhe mendoj se është një gol i rregullt, por ta shohim përsëri me anë të pamjeve filmike. Duhet të luftojmë shumë për të shkuar në finale.

Laçi nuk na la shumë të luanim, sepse ishte shumë agresiv, por më shumë jam i pakënaqur nga ekipi im, sepse gabuam shumë në pasimet e thjeshta dhe nuk arritëm të bënim lojën tonë të zakonshme.

Nuk është se deshëm të bllokonim Uzunin apo Sefgjinin. Nuk është se e ndërtoj strategjinë e ndeshjes, duke iu përshtatur kundërshtarit. Idrizin e vendosa në sulm, pasi Zhderiç kthehej nga dëmtimi. Mendova të shfrytëzonim shpejtësinë e Idrizit dhe ai shënoi, pavarësisht se goli i anulua.

Për ndeshjen e kthimit nuk dua fare të mendoj, sepse kemi përpara Kamzën, një ndeshje shumë e fortë.

Koliçi? Desha ta shoh në këtë ndeshje dhe tani e di se kush do të jetë në portë në ndeshjen me Kamzën”, tha Pakult.

Kurse trajneri i Laçit, Gentian Mezani deklaroi:

“Padiskutim që ndeshja e Kupës ka një specifikë tjetër, ku është e rëndësishme të mos pësosh gol, sidomos në fushën tënde. Pjesën e parë ishim në ekuilibiër, ndërsa në të dytën patëm më shumë dëshirë për të sulmuar, edhe pse na mungoi freskia. Me një ndeshje të mirë, kualifikimi është ende i hapur.

Sigurisht që jam i kënaqur, sot prisja akoma më shumë. Jam i kënaqur për mbrojtjen, ishim në ekuilibiër. Problem ishte shpejtësia në fazën sulmuese, e cila ishte shumë larg ndeshjeve të tjera.

Padiskutim, edhe ndaj Kukësit, do jemi më të freskët, pasi vinim nga një ndeshje në Durrës jo e mirë. Na duhet edhe pak më shumë agresivitet. Kjo skuadër ka treguar tjetër agresivitet gjatë ndeshjeve të kaluara”, tha Mezani.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje