Nga Nertil Jole
Ka disa ditë që opinioni shqiptar është përqëndruar në diskutime pa fund pas protestës të së shtunës organizuar në Kalimash, për kundërshtimin e aplikimit të tarifës së vendosur për përdorimin e “Rrugës së Kombit”.
Në diskutim janë përfshirë qytetarë, politikanë, gazetarë, të zgjedhur vendorë, deputetë, liderë të opozitës, analistë, artistë, portale, rrjete sociale, mediat e shkruara dhe ato vizive. Natyrshëm, pati një përfshirje të vonuar të përfaqësuesve të qeverisë, deri edhe të kryeministrit, i cili i qëndroi ashpër sjelljes së protëstuesve dhe shfrytëzimit politik që sipas tij, po i bëhet kësaj ngjarje.
Janë shfaqur opinione teknike, janë sjellë eksperienca të fushës, është shpalosur patriotizëm pa kufi, humanizëm, dhembshuri për të varfërit apo shtresat e ndryshme të shoqërisë. Është diskutuar pa iu dridhur qerpiku edhe rreziku i ndarjes veri-jug, madje, edhe rreziku i një ndarje të thellë të dy anëve të kufirit. Diskutimet kanë vënë në rrezik turizmin shqiptar, shkëmbimin e mallrave dhe çdo gjë pozitive si pritshmëri, që deri tani e paskish sjellë kjo rrugë. Dhe në fund, janë anatemuar institucionet e shtetit, përfshirë policinë edhe prokurorinë.
Por çfarë ka ndodhur në fakt?
Atmosfera në fjalë u krijua pas fillimit të aplikimit të një tarife për përdorimin e “Rrugës së Kombit”, rrugë, ideja për të cilën është hedhur nga socialistët menjëherë pas luftës së Kosovës dhe u ndërtua në qeverisjen e Partisë Demokratike. Rruga, edhe pse është ende e papërfunduar dhe e paplotësuar me parametrat e nevojshëm teknike e të sigurisë, është padyshim një vepër e rëndësishme në shumë plane. Ndërkohë, ka qënë evidente dhe më herët, nevoja për përfundimin e saj dhe për mirëmbajtjen që kërkon një vepër e këtij dimensioni. Këtu fillon edhe momenti, të cilin jam i prirur ta shoh nga
tre këndvështrime.
Problemi ka përmbajtje ekonomike. Këtu kam parasysh gjithë procesin, projektimin, ndërtimin dhe vënien në shfrytëzim. Është e njohur për shqiptarët, që ndërtimi i kësaj rruge ishte në fakt, një mundësi përfitimesh korruptive, të konfirmuara zyrtarisht nga një padi penale, të ngritur nga prokuroria ndaj ish ministrit të transporteve të kohës, sot lider i opozitës.
Abuzimi me fondet e kësaj rruge, nuk mbaroi këtu. Në vitin 2010 ishte tentativa e dytë, për vendosjen e tarifimit për mirëmbajtjen, thuajse dyfishi i asaj për të cilën sot bëhen gjithë interpretimet e mundshme ekonomike, përpjekje e cila dështoi të bëhej realitet. Gjithashtu, rruga për shumë arsye, ende nuk ka sjellë përfitimet ekonomike të propaganduara dhe i ka krijuar buxhetit të shtetit shqiptar një gropë, nga efektet e të cilës ende nuk kemi shpëtuar.
Në këtë situatë, qeverisjes aktuale i ra barra e rivendosjes së domosdoshme të këtij objekti në parametrat e një projekti serioz, përfshirë këtu edhe mirëmbajtjen e nevojshme. E vlerësuar ekonomikisht, të paktën nga pikëpamja formale, që prej përfundimit të rrugës, të gjithë kanë rënë dakort për nevojën e mirëmbajtjes, madje edhe për skemën e financimit, e cila në kushtet e pamundësisë së buxhetit të shtetit do të ishte një koncesion. Kjo është pak a shumë në vija të përgjithshme panorama ekonomike e kësaj vepre.
Diskutimet kanë edhe një dimension të spikatur moral. Ato kanë filluar me përdorimin e çështjes kombëtare si një arsye madhore për nevojën e realizimit të rrugës, dhe janë tejmbushur me premtime elektorale për përfitimet që do t’i sillte ndërtimi i saj komunitetit të zonave përreth, madje edhe të dy shteteve. Ky moral ka ndërruar kah sot, nga të njëjtët protagonistë, të cilët vazhdimin e logjikës ekonomike sot nuk e njohin. Përsëri për interesa politike përdorin ndjeshmëritë e qytetarëve të zonave përreth dhe janë duke u përpjekur t’i japin problemit karakter kombëtar. Amoraliteti ka shkuar deri aty, sa me të
gjitha mënyrat dhe pa ofruar asnjë alternativë, vendosin qytetarët në antagonizëm me shtetin e tyre.
Përveç qeverisë, ky amoralitet është duke goditur institucione themelore të shtetit demokratik, siç është policia e shtetit dhe prokuroria. Kërkesat absurde për lirimin pa gjykim të personave të përfshirë në dëmtimin kriminal të pronës së përbashkët publike dhe asaj private, i vunë protagonistët e opozitës në pozita qesharake. Është për të ardhur keq, që me frymën e tyre destruktive dhe antishtet, janë bashkuar përfaqësues të shoqërisë civile, botues, portale, madje dhe analistë.
Gjithë sa thashë më sipër, përbën në thelb shprehjen e shëmtuar të situatës politike në të cilën gjendet opozita. E thënë më shkoqur, opozita regjistron sot rekordet më të ulta elektorale dhe po përjeton një rënie të besimit të votuesve të saj, të cilët ende nuk po shohin frymëzim nga lidershipi i saj. Opozita aktuale, prej afro dy vitesh është pozicionuar kundër procesit reformues të sistemit të drejtësisë, pozicion i cili e ka vendosur në pozita të disfavorshme jo vetëm me votuesit e saj, por me të gjithë aktorët vendas e të huaj, që kanë inicuar, mbështetur dhe realizuar hapa të rëndësishëm të kësaj reforme.
Po ashtu, kjo opozitë ka përdorur të gjithë mekanizmat që ka në dispozicion, për të larguar vendin nga procesi i hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Këtij pozicionimi në kundërshtim të hapur me interesat madhore të vendit, i bashkangjitet një pozitë e dobët e liderit të opozitës brenda forcës së tij politike. Aty janë konfiguruar qartë qëndrime mospajtuese me filozofinë e të bërit opozitë dhe pakënaqësi e mosbesim në aftësitë e tij për të udhëhequr opozitën.
Kësaj, i shtohet një skandal financiar ku është përfshirë, financimi i dyshimtë i partisë demokratike, përgjegjësia për të cilën është vetëm e Lulzim Bashës. Tentativa e dëshpëruar për të mbuluar këto sjellje
politike dhe aleanca difektoze me LSI-në, po aq problematike dhe e pabesueshme, janë arsyeja e vërtetë e përdorimit të një ngjarje të veçuar, si kazus për sjellje që synojnë të nxisin anarki dhe të shtrijnë konfliktin politik në të gjithë vendin.
Thirrjet e fundit për mosbindje civile dhe bllokimet e arterieve kryesore të vendit, janë shprehja më e dëshpëruar e mungesës së përgjegjësisë politike dhe vizionit për të ardhmen europiane të vendit. Nuk kemi dëgjuar as më parë e as tani, një alternativë të opozitës për rritjen e mundësive ekonomike të zonave rreth “Rrugës së Kombit”, që në fakt është mënyra e vetme për t’u larguar nga diskutime populiste për mospagim taksash, dritash, uji etj, që i hapin rrugë zhvillimit ekonomik dhe social të zonave në fjalë.
Kjo mënyrë e sjelljes politike të opozitës, e vendos në periferi shqetësimin e njerëzve, duke nxjerrë në pah qëllimet e vërteta të përpjekjeve të saj. Të pretendosh që këtë filozofi ta përcjellësh tek qytetarët si alternativë, është një nenvlerësim që opozita ka për vetëdijen politike, inteligjencën dhe kulturën demokratike të shqiptarëve.