A i “joshin” shqiptarët investimet në ar? Si po ecën tregu, cilët janë blerësit dhe si është tendenca e këtij produkti që nuk del asnjëherë nga moda. Të dhënat tregojnë se po importohen më pak bizhuteri në sasi, por ato janë më të shtrenjta, në një tendencë drejt luksit
Nga Deada Hyka
Viti 2017 pësoi një dobësim të kërkesës për bizhuteri ari. Aktorët kryesorë të tregut ia atribuojnë këtë sjellje disa faktorëve, mes të cilëve: rritjes së çmimit në bursë vitet e fundit, mungesës së aftësisë blerëse të popullsisë; paqëndrueshmërisë që lidhej gjatë fillimvitit të shkuar me zgjedhjet parlamentare. Një ndër problematikat e këtij tregu vijon të jetë informaliteti. Konkurrenca është shtuar por tregtarët tregojnë në një sofistikim të shijeve dhe padyshim, individët me të ardhura mbi mesatare blejnë.
Rënia e numrit të martesave në dy vitet e fundit e ka dobësuar kërkesën për bizhuteri ari, gjë e cila lidhet me traditën shqiptare. Kjo risi, sipas aktorëve vjen nga ndikimi i rrjeteve sociale në dy drejtime: në kërkesa të personalizuara për bizhuteri dhe si rrjedhojë më të shtrenjta, si dhe nevoja për t’u dukur, për t’i veshur vetes petkun e një statusi social e ekonomik më të lartë. Po investimet në ar i “joshin” shqiptarët?
Tregu vendas
Agron Gjikondi, administrator i argjendarisë “Gjikondi”, thotë për “Monitor” se shitjet e bizhuterive nuk kanë pasur ndryshime të dukshme vitet e fundit, madje edhe ato me çmime më të ulëta, kryesisht flori 14-karatësh, kanë regjistruar rënie. “Kjo ka ndodhur sepse pjesa më e madhe e klientëve te Gjikondi drejtohen kryesisht për bizhuteri luksi apo ora. Janë një përqindje e vogël ata që kanë pasur si qëllim blerje të floririt në bizhuteri, kryesisht unaza”,- tregon ai.
Z. Gjikondi tregon është se njerëzit nuk blejnë si dikur flori për investim, që ta mbajnë në rast rritje çmimi apo të ngjashme.
“Vihet re se njerëzit po vazhdojnë të blejnë në raste specifike dhe jo për investim. Ka rritje të shitjeve të bizhuterive me vlerë, kryesisht flori 18-karatësh, shoqëruar me diamant apo gurë të çmuar. Kjo sepse njerëzit kërkojnë që, kur blejnë bizhuteri, të kenë diçka që do t’iu vlejë në kohë”, thotë Gjikondi.
Alba Ruco, nga Argjendari Pirro, tregon se rrjetet sociale janë një ndër ndikuesit kryesorë të blerjeve të bizhuterive prej ari.
“Ecuria e shitjeve pranë argjendarisë sonë ka qenë me rritje ndër vite. Klientët që u drejtohen argjendarisë për të blerë flori janë më tepër se gjysma e klientëve totalë. Vijon të rritet trendi i riciklimit të floririt të vjetër. Por, një tjetër trend i nxitur nga përdorimi në masë i rrjeteve sociale është kërkesa për të pasur gjëra të veçanta. Ekspozimi i gjerë i nxit ata që të bëjnë kërkesa nga më të ndryshmet, pa marrë parasysh shpeshherë as kostot”, – thotë znj. Ruco.
Floriri i “përdorur”
Një fenomen që është zhvilluar me rritjen e çmimit të arit është edhe shitja e bizhuterive në flori nga ana e atyre që i posedojnë ato. Agron Gjikondi thotë se tregu në këtë drejtim është rritur, për shkak të shtrenjtimit të çmimit të floririt. Sot njerëzit po shesin bizhuteri të tyre, duke përfituar nga çmimi 30-40% më i lartë se i disa viteve më parë. Ata që blejnë kryesisht bizhuteri janë vetë argjendaritë, për t’i përpunuar apo për t’i rishitur ato me çmim më të lartë.
Tregu informal
Një problematikë mbetet tregu informal, sipas argjendarëve në kryeqytet këta njerëz janë ata që u drejtohen vetë klientëve, në rrugë etj., duke “çrregulluar” skemën që klienti i drejtohet argjendarit. Edhe çmimi i ofruar ul pritshmëritë e blerësve, ndërkohë që nuk ka siguri për cilësinë e floririt të marrë nga një shitës informal.
Informaliteti
Në rrugët e Tiranës ende shikojmë shitës “informalë”, të cilët shesin nën duar bizhuteri të ndryshme floriri të përdorur, çmimet e të cilave janë më të ulëta se sa në argjendaritë e kryeqytetit. Një gjë që mbetet për verifikim është cilësia e floririt që shitet, sikurse edhe ato që blihen nga vetë shitësit në rrugë.
Dorela Kastrati nga “Kastrati Jewellery” tregon për “Monitor” se tregu informal në Shqipëri dhe, sidomos në kryeqytet, është një ndër problemet kryesore me të cilat përballen bizneset e rregullta. Ajo pohon se blerësit “gënjehen” nga çmimet e ulëta që ofrojnë këta shitës dorazi, pa pasur mundësinë për të verifikuar cilësinë e floririt apo edhe të gurëve të çmuar dhe bëjnë blerje të tilla, në kohën ku argjendaritë e mëdha në vend i ofrojnë këta artikuj edhe me certifikatë sigurie.
Argjendaritë e vogla tregojnë se ky treg informal konsiderohet problematik edhe për çështjen e çmimit, pasi, kur çmimi i floririt rritet në bursë, argjendaritë e vogla nuk mund ta reflektojnë këtë rritje çmimi, pasi tregu i zi i mban çmimet shumë të ulëta, për disa arsye. “Cilësia e ulët e floririt apo edhe vjedhja e produkteve janë dy arsye kryesore që në këtë treg ka çmime më të ulëta, për të cilat njerëzit nga pamundësia ekonomike, u drejtohen atyre, duke dëmtuar biznese si ne”, – pohojnë argjendarët.
Por, pikërisht këta tregtarë informalë, sipas drejtuesve edhe te Kastrati, po zhbalancojnë tregun, ata shkojnë te klienti, duke penguar që klienti t’i drejtohet një argjendarie të rregullt, ku ka edhe siguri për cilësinë, edhe certifikim. Shqiptarët, nga pamundësia, “gënjehen” nga çmimet e ulëta që ofron ky treg.
Lidhja e floririt me kurorëzimet
Një ndër traditat që populli shqiptar ka ruajtur ndër vite është lidhja e kurorëzimeve me unazën e floririt. Mirëpo, tregtarët e vegjël në kryeqytet flasin ndryshe në vitin 2018. Ata tregojnë për “Monitor” se, përveçse janë ulur shumë blerjet e unazave, duke marrë shkas edhe nga ulja e numrit të martesave, qytetarët shpesh u drejtohen argjendarive për produkte alternative.
“Po kanë kërkuar shpesh edhe unaza argjendi me një gur. Ose unaza floriri, por në karat të ulët. Gjithçka lidhet me ekonominë e njerëzve. Duhet thënë që ne nuk shesim aq shumë sa më parë. Kategoria e njerëzve që blejnë mbetet ajo mbi të ardhurat mesatare”, – tregon një argjendar i rrugës “Sulejman Delvina” në kryeqytet. Po të shikojmë shifrat e INSTAT, ka rënie të dukshme të numrit të kurorëzimeve në vendin tonë. Në vitin 2016 pati një rënie me 10% të numrit të kurorëzimeve, ose thuajse 2500 më pak se një vit më parë.
Turizmi “nxit” blerjen e arit
Dorela Kastrati, menaxhere e Katrati Jewellery, ia atribuon një rënie të lehtë të blerjeve të floririt mungesës së turistëve në Shqipëri. “Ne nuk jemi një qytet, numri i turistëve të të cilit arrijnë qindra në ditë. Turistët janë një ndër kategoritë që konsiderohet si potencial në fushën e bizhuterive. Duke qenë se turizmi në vendin tonë është i shtrirë në pak kohë, kjo e bën më të mangët këtë pjesë. Përveç blerjes së floririt për evente, turizmi i jep mundësi të tjera këtij sektori. Për ta thënë më konkretisht, kur disa nga firmat më të mira në Itali pranuan të vinin si distributorët tanë, pyetën edhe për numrin e turistëve në Tiranë”, – tregon znj. Kastrati.
Ky lloj biznesi është i bukur si aksesorët që tregton, por ka pasur ndër vite ulje-ngritjet e veta. Megjithatë, kategoria e klientëve besnikë gjatë viteve janë çiftet në prag fejese ose martese. Të tjerë janë të interesuar për dhurata. Tregu i floririt targeton njerëz me mundësi ekonomike mbi mesatare.
Investohet në ar?
Çmimi i floririt në bursa është rritur me 20% në 5 vjet, e nga ana tjetër interesi që qytetarët marrin nga depozitat në Euro ose Lek po arrin nivele negative. Që prej nisjes së krizës botërore, çmimi i arit ka njohur rritje të menjëhershme.
Në tregun shqiptar, që nga viti 2007, ka pasur një bankë e cila është e licencuar nga Banka e Shqipërisë për të operuar me metalet e çmuara, ku përfshihet edhe ari. Sot, ky numër ka arritur në gjashtë, por vetëm tre prej tyre raportojnë pozicione në ar dhe vetëm njëra ka pasur vëllim modest të transaksioneve me klientë në pakicë gjatë kësaj periudhe, bën të ditur z. Marian Gjermeni, drejtor i Departamentit të Operacioneve Financiare pranë Bankës së Shqipërisë.
“Bazuar në informacionin e mësipërm, mund të themi që përdorimi i arit për qëllime investimi, me kundërpalë sistemin bankar, është në nivele të papërfillshme. Nga ana tjetër, në Shqipëri ekziston edhe tregu ku blihet dhe shitet ar i pastandardizuar, i përqendruar në argjendaritë e qyteteve për qëllime konsumi (bizhuteri) dhe më pak për qëllime të ruajtjes në kohë të vlerës (monedha të zakonshme, si dhe me vlerë numizmatike)” – tregon për “Monitor”, z. Gjermeni.
Flasim për çmime ari shumë më të kripura se vite më parë. Çmimi në bursë ka pësuar rritje 20% dy vitet e fundit, megjithatë reflektimi i çmimit nuk bëhet njësoj te tregtarët. Ata informalë e ndryshojnë çmimin me vonesë, duke qenë se kanë stok të pashitur. Tregtarët e vegjël priren të anojnë tek ekonomikja, që do të thotë bizhuteri me karat më të ulët. Tregtarët e mëdhenj targetojnë “peshqit e mëdhenj”, duke i ofruar veçanti e personalizim në aksesorë me çmim më të kripur, ose bizhuteri të importuara, që do të thotë çmim i unifikuar.
Importet, rriten në vlerë, ulen në sasi
Të dhënat nga INSTAT për importet e grupit “perlat natyrale, gurët e çmuar, bizhuteritë, monedhat”, kanë shënuar rritje në vlerë, por rënie në peshën totale. Në 2017-n, importet e këtij grupi kapën vlerën e 1.3 miliardë lekëve, me një rritje prej 13% krahasuar me një vit më parë. Krahasuar me dhjetë vite më parë, importet e perlave natyrale, gurëve të çmuar, bizhuterive dhe monedhave, janë rritur me rreth 3.4 herë në vlerë.
Ndryshe ka ndodhur me sasinë. Sasinë më të madhe të importuar në dhjetë vitet e fundit, importet e këtij grupmalli e kishte në vitin 2014, apo rreth 214 mijë tonë. Prej 2014-s, sasia e importuar e këtij grupmalli ka ardhur në rënie. Në 2017-n, sasia e importuar arriti në 57 mijë tonë, gati katër herë më pak. Arsyeja e kësaj rënie në sasi, por jo në vlerë, i atribuohet rritjes së çmimit të arit në bursë.
Shqipëria, e parafundit për rezerva ari
Shqipëria renditet e parafundit, në listën e 100 vendeve të botës, për sa u përket rezervave të arit. Në raportin e fundit të “World Gold Council” për muajin janar 2018, thuhet se Shqipëria zotëron 1.6 tonë flori, duke u renditur para vendit të fundit, Mongolisë, me 1.5 tonë ar.
Sipas të dhënave të publikuara, rezervat më të mëdha në rajon i ka Greqia, me 112.6 tonë ar, me rritje të një niveli renditjeje krahasuar me një vit më parë. Serbia ka një sasi të konsiderueshme, prej 18.8 tonë ar dhe ndiqet nga Maqedonia, sërish më tepër se sa ne, me 6.9 tonë ar. Krahasuar me vitin 2014, edhe rezervat tona të arit janë rritur, duke pasur në konsideratë që kemi qenë vendi i fundit në botë për rezervat./monitor/