Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, mendon se ekipi ka treguar me fitoren e sotme që ka diferencë të thellë me ndjekësit.
Ai deklaroi se Kupa ishte diçka tjetër, por reagimi i sotëm, ishte i rëndësishëm.
“Sot treguam që nuk kishim problem tjetër, as fizik, as të mënyrës së lojës, u kthyem te performanca që kemi bërë gjatë gjithë kampionatit, treguam që ishte ngërç psikologjik dhe sot u kthyem me këmbë në tokë, analiza ishte që mbaroi koha e përshtatjes nëse duam që të mbarojmë kampionatin si kemi bërë vijimësinë.
Në një fushë të vështirë të fillosh ndeshjen me gol është bonus i madh psikologjik, pastaj pati edhe vazhdimësinë sepse një nisje të mirë e kishim në Kupë me Flamurtarin, por gabuam në të dytën. Më e rëndësishme është që kishim vazhdimësi përveç startit.
Xhejms është në vijë të drejtë, por e përsërit që Skënderbeu nuk ka nevojë për ndihma, është një skuadër që dukshëm dhe bindshëm ka bërë diferencën me skuadra të tjera.
Të them të drejtën janë 2 gjëra që duket sikur janë të ndara pasi Kupa ka një specifikë tjetër. Por kjo i bën mirë ekipit pasi bëmë reagimin që prisnim dhe kjo erdhi shumë shpejt pasi kemi bërë vetëm një ndeshje të keqe ndaj Vllaznisë. Kisha frikë se ai demoralizim do zgjaste më shumë dhe na bënte dëm por fatmirësisht nuk ndodhi ashtu. Fitorja ka rritur besimin në skuadër tashmë dhe po shohim nga Kupa.
Radas dhe Vangjeli janë të rëndësishëm pasi mbyllin aksione në mbrojtje dhe nisin topa drejt sulmit”, tha Daja.
Kurse trajneri i Flamurtarit Shpetim Duro u shpreh:
“Nuk di çfarë të them për këtë ndeshje. Ishte një humbje përballë një skuadre si Skënderbeu por kur je duke humbur 2-0 është e vështirë të reagosh. Në pjesën e parë i dhashë motivim skuadrës por pas golit të tretë na ndëshkuan më shumë.
Prej një periudhe të gjatë ne jemi ngarkuar shumë dhe fitorja para 5 ditësh më bëri të mendoj se do ndryshojë diçka por ndodhi e kundërta. Kjo ndeshje nuk ka nevojë për asnjë lloj komenti.
Në këto momente që po më pyesni unë nuk mendoj asgjë. Unë e vendosa të ardhmen time në ndeshjen ndaj Kukësit. Bëra detyrën time por rikonfirmimi më erdhi nga Idrizi. Humbja me Kukësin u humb në fund pas një ndeshje të mirë por sot skuadra ishte në të gjitha aspektet e dërrmuar”, u shpreh Duro.