Më i paguari në Superiore, por Muarem është zhgënjim total te Flamurtari

10 Prill 2018, 12:50Sport TEMA

Gjatë merkatos së dimrit Flamurtari kërkoi me ngulm një fantazist dhe ai ishte Muarem Muarem.

Lojtari që do të lidhte dy fazat e lojës te skuadra vlonjate, i kushtoi shumë shtrenjtë administratorit Idrizi, i cili, për të përmirësuar Flamurtarin që po ecte vërtet mirë, nuk u kursye.

Por lojtari nga Maqedonia, pavarësisht se të gjithë flasin për cilësi të larta teknik të tij, te Flamurtari është dukur krejtësisht anonim në fushë, për aq sa ka luajtur.

Një ndeshje në Korçë me fillimin e fazës së tretë, më pas shumë javë jashtë për shkak dëmtimi dhe së fundi titullar, por asgjë për t’u mbajtur mend.

Të mendosh që për këtë lojtar shpenzohen rreth 15 mijë euro në muaj, – pa dyshim më i paguari në Superiore, – është vërtet një dështim i madh i merkatos vlonjate. Muarem është zhgënjimi më i madh, duke gjykuar edhe nga kostoja e tij e lartë, sepse edhe Nedeljkoviç, i ardhur në janar, nuk ka bërë asgjë për t’u shënuar. Formën e dobët të këtij lojtari e ka pranuar edhe vetë trajneri Duro, i cili është shprehur se priste shumë prej tij.

Blerjet e dimrit, në vend që ta përmirësonin lojën e Flamurtarit, duket se e kanë dëmtuar atë. Mbrojtja nuk po funksionon më dhe largimi i Jakovljeviçit duket se ka prishur shumë punë. Ndoshta edhe Pollozhani i duhet më shumë ekipit në mesfushë, ku Useini ka humbur shumë nga paraqitja e tij e mëparshme.

Flamurtari është ekipi që ndoshta ka shpenzuar më shumë këtë sezon për blerjet dhe vendi i 6-të në kampionat, përtej faktorëve që kanë ndikuar në garë, siç është gjykimi, lë shumë për të dëshiruar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje