Tre lëvizjet e qeverisë “Berisha” që Basha i mohon, por që i mbetën si "faturë" Ramës

10 Prill 2018, 21:28Politika TEMA

Janë tre lëvizje, reforma apo aksione të qeverisë Berisha nga viti 2009 deri në vitin 2013, që Lulzim Basha dhe Partia Demokratike po përpiqet t’i mohojnë, ndërsa qeveria ia faturon paraardhësve të saj.

Dy prej tyre janë aktuale dhe tema mjaft të nxehta, të tretën po e sjellim si shembull që shqiptarët ta dinë nga sot, meqenëse asnjëra palë nuk flet.

Taksa e “Rrugës së kombit”, një nga temat aktuale më të forta, është filluar si procedurë në kohën e qeverisjes së Berishës, u projektua për tu vendosej në vitin 2011, nuk u vendos për shkak të zgjedhjeve. Më pas, pas darkës së ngjalave, Meta-Rama, në Gjirin e Lalzit, procedura u ndalua sepse po vinin zgjedhjet e vitit 2013.

Të gjitha palët, PD, PS dhe LSI, që nga Kryeministri deri te çdo ministër tjetër, përfshi këtu, Lulzim Bashën, Edmond Haxhinaston, Sali Berishën, Edi Ramën dhe Ilir Metën, në këto 9 vite kanë provuar se taksa e Rrugës së Kombit është e nevojshme dhe të gjithë kanë qenë dakord.

Në lidhje me investimin një argument është taksa “e zhdukur Majko”, ku u mblodhën rreth 35 milionë euro, por në vitin 2005 kur PD erdhi në pushtet nuk gjeti asnjë lek. Qeveria “Berisha” mori vendimin politik për një investim që fillonte tek rreth 460 milionë euro, shkoi në rreth 1.2 miliardë dhe ende sot e kësaj dite nuk ka përfunduar, kërkon të paktën 200 milionë euro të tjera investime.

Të gjitha palët politike, përfshirë dhe shumicën e qytetarëve, janë pro taksës në “Rrugën e Kombit” dhe diskutimi tashmë bëhet mbi shumën.

Vlera e saj mund të kërkojë debate, por qeveria aktuale e quan taksë plus tarifë për investimin. Në fakt Rruga e Kombit, prej gati 9 vitesh nuk njeh asnjë investim dhe kërkon ende 200 milionë euro të tjera për tu përfunduar. Filloi tek Berisha, e mbështeti Meta, po e implementon Rama.

Një temë tjetër e nxehtë është ajo e TVSH-së 20% për biznesin. Dikush thotë se rrit kostot, dikush thotë se do të rrisë çmimet, por le ta shohim në një tjetër këndvështrim.

Tregjet që sot mbyllin qepenat, sipas Edi ramës janë jashtë skemës, por Kryeministri nuk mund të fshihet pas gishtit. Ai mund të kërkojë formalizimin e tregut për të kontrolluar më të mëdhenjtë, por duhet ta ndalë kryebashkiakun e Tiranës i cili është personi që sot në kryeqytet, disa taksa i ka 10-fishuar, disa taksa i ka 100-fishuar apo 1000-fishuar. Për biznesin e vogël, TVSH 20% nuk është asgjë krahasuar me shkuljen e dhëmbëve që i bën biznesit Veliaj dhe Bashkia e Tiranës, i cili ka edhe taksë përmbi taksë, siç është ajo e arsimit.

Edhe këtu në këtë rast, të gjitha palët kanë qenë dakord. Reforma ka filluar në qeverinë e ish-kryeministrit Berisha, ku pragu u ul nga 8 në 5 milionë lekë të reja. Ulja e tek 2 milionë është një reformë fiskale që nuk ka filluar sot, ka filluar në kohën e qeverisë Berisha kur ajo qeveriste me LSI-në, dhe kjo e fundit e mbështet, megjithëse Basha e mohon sot, duke tentuar të fitojë kredo politike.

E treta le të jetë një informacion për të gjithë ata që nuk e dinë, që nesër kur të shohin traun tek rruga Tiranë-Elbasan, ndoshta do të jenë më shumë në protestë. Ky investim me një projekt rreth 300 milionë euro, që në fillimin e saj e ka të përcaktuar vendosjen e traut. Paralel me fillimin e investimit, në vitin 2013, u asfaltua i plotë dhe u investua edhe në rrugën e vjetër të Kërrabës. Që banorët e Elbasanit, Librazhdit, Përrenjasit, Pogradecit, Korçës, Devollit dhe Kolonjës, nesër të mos çuditen dhe ë mos kenë asnjë revoltë, duhet ta dinë që autostrada Tiranë-Elbasan është me taksë dhe me rrugë alternative, të cilën e sulmonte Rama dje, e pranonte PD dhe LSI, dhe do ta implementojë vetë Rama nesër.

Një reformë fiskale dhe dy trarë që kanë filluar dje, po implementohen sot dhe do të vazhdojnë edhe nesër. Me shumë gjasa jo me Bashën kryeministër, por me çdo Kryeministër tjetër që do të vijë pas Ramës dhe shumë të tjerëve që do ta pasojnë. Shqipëria do të ketë më shumë trarë në rrugët e saj. I pëlqen apo si pëlqen Ramës, Bashës apo Metës.

Kjo është e vërteta që kanë frikë t’ua thonë shqiptarëve në sy, pasi kanë frikë nga kostot e tyre politike.(CNA.al)

6 komente në “Tre lëvizjet e qeverisë “Berisha” që Basha i mohon, por që i mbetën si “faturë” Ramës”

  1. Qytetari I thjeshte says:

    Problemi nuk eshte tek trau apo traret qe do te vijne, ai eshte tek fakti se cfare behet me keto para te mbledhura nga taksat dhe tatimet!!!!
    Kjo duhet te shqetesoj cdo qytetar sot, efektiviteti i perdorimit te taksave.
    Keta birbo jane te gjithe hajdute me cizme, te gjithe ne nje kazan jane, mjere ne ne duar te kujt jemi.

  2. Harilla says:

    Rames i pelqen,por nuk u pelqen Berishes dhe Bashes,se duan ta bejne vete traun e rrugeve,qe mendojne kur te vijn ne pushtet,(qe nuk kane per te ardhur kurre).Ardhja ne pushtet e pd-ke do jete nje zi e madhe per popullin shqipetare,se ata te VRASIN TE BURGOSIN,pasi jane egersira.

  3. free says:

    po mjelin njerzit tani se lopa ska me.

  4. nord.al says:

    Shqip shkruhet ” tri levizjet”. More vesh o gazetare injorant?

  5. Drini says:

    Jam kurioz te dij se cfare u ndodhi 35.000.000 erove qe u mblodhen nga taksa “Majko” ?
    Apo edhe keto si te gjithe fondet e tjera qe zhduken pa autor

  6. katarakti says:

    Une nuk kuptoj diçka. Rruga Tirane – Elbasan me sa di une ka ekzistuar qe ne kohen e Zogut dhe te Enverit. Tani thuhet qe do u vika “trau” edhe ne kete rruge?! Nese eshte fjala per nje rruge te re, dakort. Por ndersa eshte fjala per te njejten trase nuk eshte aspak e drejte kjo lloj takse. Normalisht per rruget qe kane qene ndertuar qe ne kohen e socializmit nuk ka pse te vilet asnje lloj takse. Ato duhet veçse te mirembahen nga taksa e qarkullimit rrugor qe duhet te paguajne te gjithe pronaret e automjeteve. Ndersa per rruget e reja duhet te paguhet takse, pasi tani jemi ne kapitalizem. Shteti nuk mund te kryeje dot investime pasi eshte ne borxh. Nje borxh qe arrin ne 70 perqind te GDP-se! Megjithate me duket se qeveria Rama po e tepron shume me keto taksa per rruget!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje