Nënat shtatzëna që marrin qetësues për dhimbje të ndryshme mund të dëmtojnë fertilitetin e bebes që mbajnë në bark, qoftë djalë apo vajzë.
Studiuesit prej kohësh kanë paralajmëruar se ibuprofeni dhe paracetamoli reduktojnë numrin e qelizave që më vonë kthehen në vezore.
Por kohët e fundit, një ekip studiuesish britanikë zbuloi se ilaçet për qetësimin e dhimbjes kanë të njëjtin efekt në qelizat që te djemtë, më vonë, kanë të bëjnë me prodhimin e spermës.
Studiuesit thonë se ilaçet qetësuese mund të ndikojnë te fertiliteti i brezave të ardhshëm nëpërmjet nxitjes së ndryshimit të strukturës së ADN-së, e cila më pas trashëgohet.
Mjekët thonë se gratë shtatzëna duhet të shmangin përdorimin e ibuprofenit, për shkak të komplikacioneve që mund të sjellë.
Ata sugjerojnë paracetamol, por në dozën më të ulët dhe për një periudhë të shkurtër kohe.
Edhe aspirina mendohet se është e sigurt, në doza të ulëta. Madje disa grave, mjeku u rekomandon doza të tilla ditore për të shmangur rrezikun e dështimit.
Studimi i kryer në Universitetin e Edinburgut arriti në konkluzionin se paracetamoli dhe ibuprofeni ndikojnë te vezoret dhe testikujt e bebeve.
Ata konstatuan se pas një jave ekspozim ndaj paracetamolit, numri i qelizave të vezoreve u ul me 40%.
Ndërsa efekti i ibuprofenit ishte akoma më i madh, pasi reduktoheshin rreth gjysma e këtyre qelizave.
Po ashtu, studiuesit arritën në përfundimin se paracetamoli dhe ibuprofeni e ulin me 25% numrin e qelizave që ndërtojnë testikujt te bebet meshkuj.
Rezultatet e studimit u publikuan në revistën “Environmental Health Perspectives”.
Përgatiti: Gazmira Sokoli