Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, këmbëngul se dy shprehjet që ai përmendi në Kuvend, të njëjta me ato që kryeministri Rama ka përdorur, nuk janë kërcënim dhe shantazhe për kreun e qeverisë.
I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”, Tahiri tha se i zgjodhi këto shprehje sepse sipas tij, shpreh më mirë atë që ai do të thotë.
“Më shumë sesa ta veshim me misterin pale se çfarë po ndodh, për mua është e thjeshtë, në dy momente ku ndoshta vëmendja ka qenë më e madhe, janë dy shprehje që i kam përdorur për të shprehur më mirë veten time në raport me atë që dua të them, nuk kam kopjuar njeri
Nuk ka lidhje me shantazhin dhe kërcënimin
As është në mënyrën time të kërcënoj njeri, dhe e dyta s’kam pse ta bëj”, tha Tahiri.
Por ish-ministri u pyet se përse zgjodhët shprehjet e Ramës
“Nuk ka lidhje me shprehjet e atij, nëse ju bëni ura në kokë dhe jeni kthyer 15 vjet më parë, është e pamundur për mua që…
Mua më vjen keq që nuk më beson”, tha Tahiri.
Tahiri të enjten në Parlament tha se do të këmbëngulë për tu përballur me akuzat që kanë rënduar ndaj tij për trafik droge me kushërinjtë e tij Habilaj, duke përdorur një shprehje të Ramës kur ishte në krye të Bashkisë së Tiranës, “S’ka bir nënë dhe burrë nëne dhe bir ku**e që të më pengojë”.
Ndërsa shprehja e dytë identike me të kryeministrit që Tahiri e përmendi pasi u vu në hetim për këto akuza dhe kërkohej heqja e imunitetit të deputetit për arrestimin e tij, ishte “Nuk keni parë gjë akoma”.(TemA)