Mbledhja e djeshme mes drejtuesve të klubit, ish-lojtarëve të njohur, kryebashkiakes Voltana Ademi dhe skuadrës kuqeblu kishte vetëm një qëllim: t’i shkundte lojtarët para sfidës vendimtare me Laçin, që duhet fituar me çdo kusht. Nuk ka pasur tone të larta, por vetëm mbështetje për lojtarët, pasi të gjithëve u intereson Vllaznia.
Nga drejtuesit u është kërkuar lojtarëve për çfarë kanë nevojë, në mënyrë që të kalohet kriza sa nuk është vonë. Ata janë justifikuar me faktin se ndeshja me Luftëtarin ishte thjesht një moment i keq dhe kanë thënë se do të mobizilohen maksimalisht për ndeshjet në vazhdim të kampionatit, që Vllaznia të qëndrojë në elitë.
Vllaznia pret të dielën Laçin dhe vetëm 3 pikët i bëjnë punë, jo vetëm në këtë ndeshje, por në të gjitha ndeshjet në fushën e saj, veçanërisht atë me Kamzën rivale direkte, por edhe kaq mund të mos mjaftojë. Shkodranët kanë nevojë të marrin pikë edhe jashtë fushe në këto 6 javë.
Vllaznia ka mbështetjen e të gjithëve në këtë moment të vështirë, por tani gjithçka e kanë në dorë futbollistët me atë çfarë do të bëjnë në fushë.