Dalipi: Ka tendenca për ta shpërqendruar Partizanin

27 Prill 2018, 15:15Sport TEMA

Pas dy humbjeve radhazi, Partizani ka mundësinë e rehabilitimit nesër në Lushnjë, ku nuk do të jetë shumë e vështirë për të marrë  trepikëshin, sepse kundërshtari është i rënë nga kategoria.

Trajneri i të kuqve, Klevis Dalipi, ka folur në konferencë shtypi për këtë ndeshje dhe jo vetëm. Ka folur për objektivin, të ardhmen e tij dhe marrëdhënien me Starovën”

“Para ndeshjes me Skënderbeun kishim punuar që të mbahet skuadra e karikuar në seancat stërvitore dhe u pa që luftuam dhe bëmë shumë për të fituar. Ajo gjë rezultoi efikase nga ana psikologjike. Në pjesën e parë po shkonte çdo gjë mirë, por ndikoi dëmtimi i Lukasit.

Edhe këtë javë ka pasur tendenca për ta shpërqendruar skuadrën, por unë jam komod, pasi kam besimin e stafit dhe presidentit. Pavarësisht se Lushnja ka dalë nga objektivat, e respekton kampionatin dhe e di që është ndeshje e vështirë. Lushnja prodhon futboll të mirë dhe është e vështirë të motivohet skuadra. Ne shkojmë atje për të marrë 3 pikët, pasi nuk duhet harruar që ka mundur Kukësin në transfertë.

Prania e trajnerit kroat në stadium? Presidenti e dha përgjigjen. Ai mund të jetë në stadium për punët e veta, por unë deri në fund do të punoj i qetë, pasi kam besimin e presidentit. Ajo humbje na ka mërzitur shumë dhe e tregova para medieve se do të vazhdoj i qetë. Të tilla gjëra në bëjnë më të fortë. Dua të merrem me skuadrën, pasi lojtarët duhet të jenë të gatshëm dhe të karikuar.

Deri në këto momente, skuadra po funksionon shumë mirë dhe jam i kënaqur me këtë gjë. Kjo më bind që në 6 javët e mbetura do të japim maksimumin për të kapur objektivin tonë, që është Europa. Për mua ka filluar një kapitull i ri dhe do të mendoj për më mirë. Duke u afirmuar si trajner i parë, do të thotë shumë për karrierën time. Nuk ka vlerë të emërosh sërish trajner sezonin tjetër, nëse nuk kapet Europa. Rruga e duhur për të gjithë do të ishte emërimi, duke kapur Europën.

Deklaratat e Starovës? Ma kanë thënë miqtë e mi, por nuk besoj se një intervistë në një gazetë mund të thyejë marrëdhënien time 3-vjeçare me Starovën dhe besoj se do jemi miq. Jemi profesionistë, pavarësisht se mund të ketë keqkuptime apo hatërmbetje. Për mua Starova do mbetet një ndër njerëzit që kam punuar më shumë dhe gëzon respekt maksimal.

Nuk mund të bëj hamendësime, nëse një barazim apo gabim mund të jetë fatal. Ne futemi në çdo ndeshje për të marrë maksimumin. Skuadra dhe stafi im ka vetëm mendime të mira në kokë. Dua që skuadra të pasqyrojë në ndeshje ato që bëjmë në stërvitje. Nëse nuk arrijmë objektivin, nuk është gjë e mirë, por ne futemi në fushë për mirë, pavarësisht sa vështirë do të jetë me Lushnjën

Pësimi i golave? Në ndeshjen e fundit prodhuam dhe krijuam shumë. Gjatë stërvitjes një javë para Skënderbeut skuadra ishte mirë para portës dhe ishim të sigurt se do shënonim. Këto dy javë nuk po vjen goli por është kalimtare dhe kam besim se goli do të vijë shpejt pasi linja para ka shumë cilësi, duhet vetëm të finalizojë.

Kur nuk bënim ndryshime në formacion na thonin pse nuk bëhen, tani na thonë pse ka ndryshime. Për mua është e rëndësishme të vijnë rezultatet. Lukasi ishte lojtar në rritje fizike dhe na ka dhënë 2 fitore. Ai është lojtar me shumë cilësi por kam aq shumë cilësi sa e kam të vështirë të zgjedh. Mund të përmend Prognin, Abdurrahimin, Çanin, Asanin dhe mund të ketë minuta për Ramadanin.

Sezoni i ardhshëm?  Dua të marr maksimumin nga lojtarët dhe besoj se nuk është llogaritje pa mbaruar sezoni se kë do të mbaj. Deri në fund duhet të mendojmë si një trup i vetëm dhe mund të ketë lojtarë që do të largohen vetë. Unë dua që lojtarët të japin maksimumin deri në fund.

Batha? Ai është me shumë karakter dhe nuk i ulet rendimenti pse është në fund të kontratës dhe e di që do të japë maksimumin. Javët në vazhdim do të tregojnë karakterin e fortë dhe do të shihet se çfarë do të japin lojtarët e pastaj do të bëjmë llogaritje në bazë të ofertës dhe kërkesës sonë për të ardhur te rinovimet.

Dëmtimet dhe ecuria e kampionatit? Të luash pa një sulmues si Çani është shumë e vështirë. Ne kemi adaptuar sulmues me karakteristika si Çani siç ishte Fejzullahu që u dëmtua por tani është rikthyer dhe është pranë rikuperimit. Ibrahimi po luan shumë mirë dhe them se kemi shumë zgjedhje para e do të bëjmë maksimumin për të marrë më të mirat.

Nuk kam pakënaqësi nga skuadra dhe nëse një trajner mban inate, atëherë ai nuk është trajner. Kotobelli po stërvitet mirë dhe për një ndeshje të caktuar duhet një lojtar i caktuar. Nuk kam asnjë problem as me Kotobellin dhe as me të tjerët” tha trajneri Dalipi në konferencë për mediat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje