Gjatë ditës së sotme, disa nga pjesëtarët e klubit të Skënderbeut gjatë kohës kur janë përfolur lëshimet e ndeshjeve, kanë dhënë dëshminë e tyre para trupës apeluese të UEFA-s në lidhje me akuzat për trukimin e rezultateve.
Pas seancave dëgjimore në Apel, klubi korçar ka reaguar me një deklaratë zyrtare në “Facebook” duke u shprehur se pavarësisht se është dëshmuar përpara trupës gjykuese të UEFA-s, rikonfirmohet fakti se Skënderbeu nuk beson në këtë nivel të drejtësisë, duke u përgatitur që në këtë moment për CAS-in.
Reagimi i plotë.
– Deklaratë për shtyp!
Sot, më datë 26.04.2018, është zhvilluar seanca dëgjimore në komisionin e apelit pranë UEFA-s, lidhur me dënimin disiplinor ndaj Klubit të Futbollit ‘Skënderbeu’ me përjashtim për një periudhë 10 vjeçare nga kompeticionet europiane dhe caktimin e një mase disiplinore financiare në vlerën 1 milion euro nga komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s.
Përfaqësuesit tanë ligjorë, kanë argumentuar sërish para trupave gjykuese të UEFA-s mospërfshirjen dhe pafajësinë e plotë të klubit në veprimtaritë e pretenduara nga Inspektorët e Disiplinës të UEFA-s.
Në seancën e zhvilluar sot në Lozanë, para panelit kanë dëshmuar pjesatarë të stafit drejtues, lojtarë aktualë dhe ish lojtarë të Skënderbeut, të cilët kanë mohuar kategorikisht akuzat e ngritura nga inspektorët e UEFA-s.
Duke marrë në konsideratë egzistencën e një marrëdhënie institucionale ndërmjet organeve gjykuese, Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’ rikonfirmon edhe njëherë mosbesimin për drejtësi në këtë fazë fillestare të proçesit dhe shprehim edhe njëherë bindjen e plotë se strategjia e ndjekur nga bashkëpunëtorët tanë do të japë rezultatet e pritura në CAS, (Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv).
Me respekt,
Zyra për shtyp
KF Skënderbeu