Pronari i Fulham Shahid Khan ka bërë një ofertë tunduese rreth 800 milionë paund, për të blerë stadiumin e “Wembley” nga Federata angleze e Futbollit.
Kuptohet që oferta e Khan përfshin 500 milionë paund në dorë dhe të lejojë FA të mbajë klubin “Wembley” dhe bizneset e vogla që kanë një vlerë rreth 300 milionë paund.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Federata angleze, se ka marr një ofertë për blerje e stadiumit legjendar Wembley. Në një mesazh në rrejetin social “Twitter”, në llogarinë zyrtare federate nuk ka dhënë shumë detaje.
“Ne mund ta konfirmojmë se FA ka marrë një ofertë për të blerë stadiumin “Wembley”, shkruan FA. Nga ana tjetër kanë reaguar edhe blerësit duke thënë se janë të lumtur që oferta e tyre është marr në konsideratë.
Shahid Khan, është pronari miliarder i Fulham Football Club si dhe i skuadrës së NFL Jacksonville Jaguars, në SHBA. BBC Sport thekson se shitja e “Wembley” do të lejojë FA që të bëjë një investim të madh në futbollin vendas.
Stadiumi me 90,000 vende, i cili është më i madhi në Mbretërinë e Bashkuar, kushtoi 757 milionë paund për të ndërtuar dhe është hapur në vitin 2007.
FA do të ketë disa kushte të caktuara nëse do të pranojë këtë ofertë. Së pari, Wembley duhet të mbetet shtëpia e përfaqësueses angleze të futbollit. Por edhe gjysmëfinalet dhe finalet e kupave të kompeticioneve kombëtare të futbollit duhet të vazhdojnë të zhvillohen aty.
Nëse oferta e Khan do të pranohet, do t’i hapte derën ekipit të parë të NFL jashtë Shteteve të Bashkuara. Miliarderi kërkon të shpërngulë në mënyrë permanente ekipin në tokën britanike, çka do të ishte një lëvizje e paparë ndonjëherë.(TemA TV)