Kukësi do të luajë ndaj Skënderbeut në ditën e dielë, për takimin e vlefshëm për javën e 31 të Superiores.
Kjo ndeshje ka një rëndësi të dyfishtë për korçarët, pasi nëse ia dalin në këtë takim, atëherë do të shpalleshin kampion të këtij sezoni edhe matematikisht.
Në një intervistë për “Supersport”, mbrojtësi i verilindorëve, Alla është shprehur se Kukësi do të kërkojë t’i prishi festën Skënderbeut.
“Ndaj Skënderbeut do të shkojmë si ekipi kampion. Sigurisht që objektivi jonë ngelet fitorja për të marrë 3 pikët, por do të jetë fusha ajo që do të vendosi historinë e këtij takimi. Futbolli i njeh të gjitha rezultatet.
Në sezonin e shkuar kemi festuar në Kukës titullin kampion dhe tashmë do të shkojmë në Korçë për t’i prishur miqve këtë festë. Sa i përket eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, ajo erdhi në një moment që ne nuk e prisnim. Grupi ishte i bindur se do të shkonte në finale.
Tashmë duhet të shohim për vendin e dytë, pasi përderisa matematika lejon çdo variant tjetër, ne nuk e kemi të siguruar atë pozicion në renditje. Për të ardhmen time do të vendos në fundin e këtij sezoni, pasi të kem biseduar edhe me drejtuesit e klubit. Ekziston edhe mundësia e qëndrimit, por do të shohim deri në fundin e sezonit”, është shprehur Alla.