Nuk do të jetë Carlo Ancelotti trajneri i ri i Italisë. 58-vjeçari, aktualisht me pushime në Kanada, ka telefonuar Alessandro Costacurtën, për t’i komunikuar vendimin e tij, që hedh poshtë ofertën e Federatës Italiane të Futbollit.
Ancelotti, sipas zërave të merkatos, mësohet se ka arritur marrëveshjen me një klub jashtë Italisë, të cilin e ka drejtuar edhe më parë. Është logjike të mendosh se bëhet fjalë për Chelsea-n e Londrës, që pritet të divorcohet me Conten në përfundim të sezonit.
Në krye të listës për të marrë drejtimin e të kaltërve mbetet Roberto Mancini. Propozimi i Federatës Italiane të Futbollit nuk ka qenë bindës për Carletton, që është më i tërhequr nga një eksperiencë e re në Angli.
Mancini ndërkohë është në kontratë me Zenitin në kampionatin rus, por nëse bie përfundimisht dakort për termat e kontratës me Federatën Italiane, nuk do do ta kishte të vështirë të shkëpuste marrëdhëniet me klubin nga Shën Pjetërburgu.