Skënderbeu, Shehi: Të mbyllim kampionatin, pastaj i vjen radha Kupës

28 Prill 2018, 13:54Sport TEMA

Orges Shehi dëshiron ta festojë sa më parë titullin kampion, duke paralajmëruar Kukësin se Skënderbeu do të jetë tepër i motivuar për t’i mposhtur kampionët në fuqi në takimin e kësaj të diele.

A mendoni se ndaj Kukësit do ta siguroni matematikisht titullin?

Kjo ndaj Kukësit është një ndeshje për t’u marrë në konsideratë. Luajmë ndaj vendit të dytë dhe për ne ka rëndësi, sepse nëse marrim rezultat pozitiv, pra nëse fitojmë, shpallemi matematikisht kampionë të Superiores. Dëshira jonë është ta mbyllim sa më shpejt çështjen e titullit, aq më tepër përballë një rivali si Kukësi.

Jeni gati për të luajtur titullar?

Kam kaluar një fazën e rikuperimit dhe jam gati për ndeshjen me Kukësin.

Ndiheni në formë apo do të sakrifikoni për skuadrën?

E kam kaluar problemin fizik, nuk kam pse të sakrifikoj. Skuadra është shprehur mirë dhe nuk ka qenë shumë e varur nga unë.

Te Kukësi janë shprehur se duan t’ia shtyjnë festën Skënderbeut…

Çdo skuadër ka objektivat e veta, ne kemi tonat. E rëndësishme është ta fitojmë ndeshjen.

Si keni arritur të ruani motivimin pas gjithë këtyre problemeve me UEFA-n?

Skënderbeu ka një grup lojtarësh me shumë eksperiencë. Është meritë e tyre që nuk ndikohen nga ato që ndodhin jashtë fushës.

A ju vjen keq që Teuta rrezikon seriozisht rënien nga kategoria?

Sigurisht që të vjen keq, sepse si Teuta edhe Vllaznia janë ekipe me traditë. I tillë është futbolli, i ka të gjitha rezultatet brenda.

Do ta marrë Skënderbeu Kupën e Shqipërisë?

Është një mundësi për të bërë “bis”. Nuk e kemi fituar asnjëherë këtë trofe, do të bëjmë maksimumin për të triumfuar edhe në Kupë. Gjithsesi, më parë duhet të mbyllim kampionatin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje