Zbulohen shifrat / FSHF futi Tiranën në Europë me 432 mijë euro borxhe

28 Prill 2018, 10:15Sport TEMA
Zbulohen shifrat / FSHF futi Tiranën në Europë me 432 mijë

FSHF ka futur Tiranën në Europë duke pasur borxhe prej më shumë se 400 mijë eurosh ndaj ish-lojtarëve e stafit, apo edhe autoriteteve financiare të shtetit shqiptar.

Ndërsa një vit më parë Flamurtari rrezikonte rënien nga kategoria duke iu hequr pikët për detyrimet ndaj palëve të treta, FSHF jo vetëm që nuk e bënte një gjë të tillë me bardheblutë, përkundrazi,  persona brenda këtij institucioni ia dolën kundër çdo rregulli të siguronin pjesëmarrjen e këtij klubi në Europë.

Shifrat bëhen publike nga hetimi i UEFA-s rreth klubi bardheblu, në të cilin shpjegohet se si kur iu kërkua dokumentacioni i plotë skuadrës kryeqytetase, kjo nuk ngurroi të pranonte atë që kishte bërë edhe para FSHF-së. Tirana pohoi edhe para UEFA-s se më datë 31 mars, kur kishte plotësuar dokumentacionin e saj fillestar, kishte deklaruar se kishte një borxh prej rreth 152 mijë eurosh ndaj autoriteteve shtetërore (taksa, sigurime shoqërore).

Ndërkohë, në bilancin e datës 30 qershor që klubi dorëzoi në UEFA, pasi kishte luajtur ndeshjen e parë ndaj Makabi Tel Aviv në Europa League, borxhi në total, përfshirë lojtarët dhe stafin, arrinte rreth 432 mijë euro.

UEFA më pas kishte kontrolluar vazhdimisht dokumentacionin e Tiranës gjatë vitit dhe bardheblutë kishin shlyer pak nga borxhet që kishin, edhe me ndihmën e Bashkisë që kishte paguar 84 mijë euro për të shlyer detyrime ndaj autoriteteve shtetërore.

Megjithatë, UEFA e cilësoi një shkelje faktin që Tirana ishte bërë pjesë e Ligës ë Europës me një licencë të parregullt, pasi nuk duhej të ishte pajisur kurrsesi me një të tillë falë borxhit të madh që kishte e aq më shumë ndaj autoriteteve shtetërore, që cilësohet shkelje e rëndë. Fillimisht ishte menduar për një masë ndëshkimore më të rëndë, por meqë Tirana ishte treguar “e sinqertë”, duke pranuar menjëherë çdo lloj borxhi që kishte, duke e bërë publik edhe në dokumentacionin që kishte dorëzuar në FSHF, ishte vendosur që masa e vetme ndëshkimore të ishte heqja e përfitimeve që normalisht duhej të merrte nga UEFA për pjesëmarrjen në Ligën e Europës.

Kësisoj, barra e të gjithë fajit bie mbi FSHF-në, duke theksuar edhe më shumë përgjegjësinë që kanë komisionet e saj, të cilat vetë UEFA i ka vlerësuar si të varura dhe që nuk ndjekin rregulloret, për këtë absurditet që prodhuan duke futur në mënyrë të paligjshme një klub në aktivitetet ndërkombëtare. Në një institucion ku paligjshmëria është kthyer në normë, me sa duket gjithçka është e mundur…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje