‘Djaloshi i artë’ i futbollit vlonjat, që refuzoi Flamurtarin

27 Prill 2018, 16:17Sport TEMA

Në Vlorë ekziston vetëm një peng përsa i përket pjesës së dytë të sezonit dhe ka të bëjë pikërisht me merkaton e janarit. Kuqezinjtë po vajtojnë mungesën e arritjes së marrëveshjes me Dejvi Bregun, futbollisti i dalë nga akademia e Flamurtarit, i aktivizuar në ekipin e parë që në moshën 16-vjeçare duke qëndruar aty për 4 sezone e gjysmë.

Por rrugët u ndan pikërisht në janarin e 2016-ës, me Dejvin që zgjodhi të vijojë karrierën në Gjirokastër, aty ku impakti ishte i menjëhershëm. Në kategorinë e parë udhëhoqi ekipin drejt elitës me 7 gola të realizuar në 15 ndeshje, ndërsa edicionin e kaluar në Superiore ishte zbulimi i vërtetë i kampionatit, 9 gola dhe paraqitje të jashtëzakonshme, që ngjallën interesin e skuadrave të mëdha.

Por numri 21 i zikaltërve nuk u ndal aty, duke u konfirmuar në nivelin më të lartë edhe në edicionin në vazhdim. Emri i tij nisi të përflitej që në fillim të muajit janar, me klube si Partizani, Skënderbeu dhe Flamurtari, që kishin emrin e Bregut në agjendën e tyre. Pasi u luajt sfida e 4 Dhjetorit, e mbyllur në barazim 1-1 në Gjirokastër, Bregu mori një telefonatë nga trajneri Shpëtim Duro.

‘Dejvi të pres në Vlorë’, ishte konteksti i telefonatës. Presidentët e dy klubeve kishin rënë dakord midis tyre për këtë transferim dhe futbollistit iu ofruan 30 mijë euro cash në dorë. Kjo ishte kërkesa e vetme e bërë nga trajneri Duro, ‘më jepni Bregun dhe këtë vit e mbyll me trofe’. Mesa duket në Vlorë nuk e bindën dot ‘djaloshin e artë’ për një rikthim në shtëpi, pasi Bregu zgjodhi Skënderbeun për të ardhmen dhe Luftëtarin për të tashmen.

Në Gjirokastër po bën mirë, pasi me 6 javë nga fundi, rekordi personal prej 9 golash në sezon është më se i arritshëm. Pikërisht ndaj Flamurtarit mund të tentojë golin e 9 sezonal, për të afruar Luftëtarin pranë Europës, por njëkohësisht edhe për t’i dhënë goditjen përfundimtare kuqezinjve. (SS)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje