Tekniku Ze Maria ka zhvilluar një sezon mjaft të mirë në krye të pankinës së klubit të Tiranës duke e rikthyer këtë skuadër në Kategorinë Superiore pas rënines për herë të parë të bardhebluve në Kategorinë e Parë.
Kur kanë ngelur dhe pak ndeshje nga fundit i këtij sezonit, Ze Maria u përfol se do të largohej nga 24 herë kampionët e vendit, por është vetë trajneri që ka konfirmuar se do të jetë sërish në krye të Tiranës.
Në një intervistë të dhënë për “FcInterNews’’, Ze Maria thekson se nuk ka asnjë ofertë nga klube të ndryshme dhe objektivi i tij është të ngrejë Tiranën sa më lart.
“Ishte një vit i qetë për mënyrën si shkuan gjërat. Të fitosh nuk është asnjëherë e lehtë, aq më shumë kur kundërshtarët, duke ditur se po luajnë me një skuadër shumë të rëndësishme, japin gjithmonë maksimumin . Por u treguam të zotët.
Nuk kam ofertë nga Italia. Sezonin e ardhshëm, me shumë mundësi do të jetë sërish te Tirana, por objektivi më pas është që të drejtoj një skuadër në Europa League ose në Champions”, ka thënë mes të tjerash trajneri i bardhebluve.