Kjo javë e Superiores ka disa përplasje interesante, që ndikojnë shumë në objektivat e skuadrave, por kuptohet që me shumë interes pritet sfida e Korçës, ku Skënderbeu luan mundësinë e parë për t’u shpallur kampion matematikisht.
I duhet të mposhtë Kukësin kampion në fuqi, si për ironi të fatit.
Ky fakt ka bërë që në Korçë të ketë një interes të jashtëzakonshëm për këtë ndeshje dhe mësohet se dy ditë para ndeshjes janë shitur rreth 3 mijë bileta.
Diçka e pazakontë për një ndeshje të Skënderbeut, por çështja e titullit i ka ngritur të gjithë në këmbë.
Ndeshja luhet nesër në mbrëmje dhe në stadiumin e Korçës pritet të jenë të pranishëm më shumë se 6 mijë tifozë, të cilët po përgatiten për festë.