Presidenti i Kukësit, Safet Gjici është në lidhje direkte me emisionin “Zona Gol” në Supersport.
“Ishte një ndeshje e bukur mes dy skuadrave që i kanë dhënë tonin kampionatit shqiptar. Ishte një ndeshje shumë e vështirë ndaj Skënderbeut.
Titulli? Nuk kemi shpresë, edhe pse nuk dorëzohemi kurrë. Matematikisht, Skënderbeu duhet t’i humbë të gjitha ndeshjet dhe ne t’i fitojmë tonat.
Ne kemi bërë gabimet tona në dy fazat e para. Ndoshta është gabimi ynë si drejtues që mbajtëm më gjatë stafin e vjetër teknik.
Nëse Pakult do e kishte marrë drejtimin e skuadrës në fillim të kampionatit, ndoshta do të ishim ne kampionë.
Ai ka futur regull dhe disiplinë në skuadër. U pa dhe sot, ashtu si edhe ndaj Partizanit që është dora e Pakult për këto lojëra të mira të ekipit.
Pakult është i konfirmuar te stoli i Kukësit”, tha presidenti i Kukësit, Safet Gjici.
MILINKOVIÇ– “Milinkoviç nuk i eci, sepse ishte serb dhe u vendos në presion? Jo nuk besoj, sepse Kukësi është mikpritës dhe nuk kemi nacionalizma të tepruar. Ka pasur zëra të paktë që ishin kundër Milinkoviç për origjinën e tij, por kjo nuk ishte masive.
Kemi pasur më herët lojtarë serbë dhe kemi pasur raporte shumë të mira.
Ndoshta ai nuk u përshtat me lojtarët, edhe pse ishte një trajner shumë i mirë”.
DREJTORI SPORTIV– “Nexhipi ka vlerat e veta në ekip. Është një hallkë lidhëse mes Pakult dhe skuadrës apo edhe mes trajnerit dhe meje”.
GURI– “Ai ka qenë edhe para dy vitesh te Kukësi, por ish-trajneri Ernest Gjoka e linte në stol, çuditërisht. Nëse do të kishte një trajner që do t’i jepte hapësira të nevojshme, Guri do të kishte shpërthyer më herët. Është dora e Pakult që Guri është në këtë formë. Shitja e tij ka lidhje me kërkes-ofertën. Nëse vjen oferta e duhur dhe nëse lojtarit i bëhet mirë, atëherë do të shitet në Europë.
Cikalleshi? E shitëm lirë, sepse pata shumë miq që ndërhynë për të. Ndaj unë e lëshova për një vlerë të ulët”.
DËNIMI I SKËNDERBEUT?- “Nuk duhet të gëzojmë që të dënohet një ekip shqiptar. Nuk e kam ndërtuar jetën time mbi fatkeqsinë e tjetrit. Por, nëse ne do të kemi shansin për të luajtur në Champions, do të japim maksimumin. Gjithsesi, unë nuk dua që të dënohet Skënderbeu, sidomos kur nuk ka prova”.
TAKAJ– “Si e përmbajta veten te goli i Gurit ndërkohë që isha pranë Takajt? Unë e vlerësoj shumë qetësinë e tij. Takaj ka një qetësi olimpike në të tilla momente, edhe pse nxihet kur pëson të tillë gola (qesh). Ishalla i kalon mërzia dhe të vazhdojë i qetë kampionatin. Në të tilla raste si goli i Gurit e di që Takaj mendon me vete: ‘Ah sikur ta kisha unë këtë lojtar’. Në fakt nuk e di se si i ka shpëtuar Guri, sepse Takaj ka disa menaxherë shumë të mirë, që janë “gjahtar” për të tillë lojtarë.
Dua të tregoj një rast. Abazaj i është vetofruar Kukësit kur ishte trajner Ernest Gjoka. Kishte shumë dëshirë të luante me Kukësin, por trajneri në atë kohë, Gjoka nuk e pranoi me idenë që kishte luajtur me Elbasanin në një kategori më poshtë. Pra, dua të them se edhe trajnerët nuk e bëjnë mirë punën në të tilla raste”.