Një sondazh që sapo është kryer me studentë nga të gjashtë fakultetet e Universitetit të Tiranës fotografon vlerësimet dhe perceptimet e tyre mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Pyetësori iu është shpërndarë 550 studentëve nga ABC Tirana Club, një grupim studentor me bazë në fakultetin e Ekonomik në Tiranë, por me shtrirje dhe në qendra të tjera universitare publike dhe private të vendit.
Edhe pse Komisioni Evropian rekomandoi OK per hapjen e negociatave me BE-në, studentët e Universitetit të Tiranës duken shumë të përmbajtur në përgjigjet për pyetjen “sa besim keni se brenda vitit 2018 hapen negociatat e Shqipërisë me BE-në?”. Një në tre prej tyre, ose 32% u shpreh se kam “pak” besim, ndërkohë që 17% thanë “aspak”dhe 4% nuk dhanë përgjigje. Grupi i optimistëve për procesin ishte më pak se gjysma, ose 47%, prej të cilëve 29% u përgjigjën “shumë” dhe 18% “disi”.
Studentët mbeten të dëshiruar për procesin e integrimit, pasi në pyetjen “sa dëshironi që Shqipëria të jetë vend anëtar i BE-së?”, përgjigjet ishin dukshëm pozitive: 69% “shumë”, 18% “disi” dhe 4% “pak”. Vetëm 4% u shprehën se nuk dëshironin një gjë të tillë, kurse 5% hezituan të përgjigjen për pyetjen.
Për pyetjen “me cilin vend anëtar të BE-së Shqipëria duhet të ketë marrëdhënie më të ngushta?”, katër u evidentuan si shtetet më të preferuara: Gjermania 35%, Italia18%, Greqia 11% dhe Franca 7%.
“Niveli i lartë i korrupsionit” dhe “performanca e papërshtatshme politike” janë zgjedhur më shumë si alternativa përgjigjeje për pyetjen mbi pengesën kryesore dhe ngadalësimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, me 81%, respektivisht 40% dhe 41% e të pyeturve. Kurse “niveli i lartë i krimit të organizuar” u përzgjodh si shkak nga 11% dhe “performanca e papërshtatshme e administratës publike” nga 7%.
“Sipas mendimit tuaj, cili është problemi më shqetësues në vendin tonë?” ishte një nga vlerësimet që u kërkohej studentëve në pyetësor. Problematika sociale, “varfëria” dhe “papunësia” kishin peshën më të madhe në përgjigjet e tyre, 40%, (përkatësisht 22% dhe 28%). Problem tjetër shqetësues ata shikojnë dhe “korrupsionin”, 22%, si dhe keqfunksionimin e shtetit ligjor, 19%.
Rritja e nivelit të mirëqenies, me 53%, mbetet për studentët një nga pritmëritë më të mëdha nga anëtarësimi i Shqipërisë në familjen evropiane. Bazuar në përgjigjet e tyre, më pas vjen forcimi i institucioneve dhe shtetit ligjor në nivelin 43%. Për 2% të tyre pritmëritë janë specifikuar për ndryshim mentaliteti tek qytetarët, si dhe sigurim i një vendi pune.
Meqënëse procesi i integrimit evropian është shumë i lidhur me ecurinë dhe rezultatet konkrete të realizimit të reformës në drejtësi, një prej pyetjeve për studentët ishte dhe mbi Vetting-un e gjyqtarëve, prokurorëve dhe pjesës tjetër të personelit në këtë sektor.
Përgjigjet pozitive për pyetjen “sa është pritmëria juaj për zbatimin e procesit të Vetting-ut në drejtësi?” ishin në nivele të ndryshme: 13% “e lartë”, 36% “mesatare” dhe 29% “e ulët”. Ndërkohë “nuk kam pritmëri fare” u përgjigjën 17% e studentëve dhe 5% nuk preferuan të flasin.
Johan Muka, drejtues i ABC Tirana Club mendon se kampioni i sondazhit është shumë përfaqësues, pasi “në Universitetin e Tiranës ka studentë nga e gjithë Shqipëria, ka vajza dhe djem nga të gjitha shtresimet e popullatës dhe perceptimet e tyre duhen vlerësuar me vëmendje nga autoritetet dhe grupet e interesit”.
Organizatorët aktualisht janë duke punuar për përgatitjen e një broshure përmbledhëse, e cila në kuadër të Ditës së Evropës, do t’iu shpërndahet studentëve, institucioneve brenda dhe jashtë vendit, organizatave joqeveritare dhe “përmes një fushate në mediat klasike dhe të reja, si dhe në rrjetet sociale informacioni do t’i bëhet i njohur publikut të gjerë”, thotë Johan Muka nga ABC Tirana Club.