Goli i portierit të Teutës, Shpëtim Moçka ndaj Partizanit u kthye në një simbol të këtij edicioni në Kategorinë Superiore.
Një prej episodeve më të veçantë edhe në rang ndërkombëtar, ashtu si Brignoli i Beneventos kishte realizuar në portën e Milanit në Serinë A.
Ishte 4 marsi 2018, ndërsa dy muaj më pas, Partizani do të ketë sërish përballë Teutën dhe Moçkën. Kundërshtarë që në historinë e afërt janë kthyer në makth për të kuqtë, të cilët vijnë pas një tjetër sezoni me ulje dhe ngritje, por ku shanset drejt Europës janë reale.
Në përballjen e fundit, goli i Moçkës vulosi largimin e Sulejman Starovës nga stoli i kryeqytetasve, pak muaj pasi trajneri zëvendësoi Mark Iulianon, ndërsa posti iu besua Klevis Dalipit. Ai episod shërbeu si një shans për teknikun aktual të të kuqve, që tashmë duhet të marrë masa speciale për të frenuar edhe portierin kundërshtar.
Edhe përballë Kamzës, Moçka ishte vendimtar me devijimin e tij nga goditje këndi, që u shndërrua në golin e barazimit final 3-3 nga Amadu Latif. Rreziku mbetet real dhe përsëritja e një tjetër goditje me kokë mund të peshojë negativisht në bilancin e trajnerit Dalipi në fund të sezonit.
Gjithashtu Teuta nuk është rivali më komod për Partizanin, prej historisë, por edhe për vetë momentin që skuadra po kalon. Dy humbjet e fundit dhe barazimi ndaj Lushnjës së rënë nga kategoria kanë ndikuar në gjendjen psikologjike të të kuqve.
Sfida e fundit në ‘Selman Stërmasi’ me Teutën, u vendos nga goli i Bathës në minutën e 4-t shtesë, ndërsa në sezonin 2015-2016, durrsakët kanë fituar dy herë në kryeqytet.
Të gjithë këto elementë, edhe fakti që djemtë e detit kërkojnë pikë mbijetese i bëjnë një kundërshtar për t’u pasur frikë. Por, te Partizani e kanë të qartë që Europën nuk ta fal askush, ajo duhet fituar në fushë.