Lufta e egër e mbijetesës në Superiore ka marrë gjithë vëmendjen në këto javët të fundit kampionatit, pasi çështja e titullit është zgjidhur. Në këtë luftë janë të përfshira tri skuadra, njëra nga të cilët do të shoqërojë Lushnjën në Kategorinë e Parë.
Teuta dhe Vllaznia janë më të rrezikuara, kurse pas tyre vjen Kamza, që ka një diferencë për 2 pikësh me Vllazninë dhe 4 me Teutën. Skuadra nga periferia e kryeqytetit tregoi nivel të lartë në gjysmën e parë të sezonit, kur ishte pretendente për në Europë, por tani rrezikon dhe para pak javësh ndërroi trajner, ku në stol është ulur Julian Ahmataj.
Ermir Rezi, një nga lojtarët më të vjetër te Kamza, ka besim të plotë se skuadra e tij do të qëndrojë në elitë, pasi gjykon se është më e fortë se dy rivalet e saj. Ai nuk dëshiron të mendojë për aleanca në këto javë të fundit, sepse, nëse do të ishte kështu, do të prishej bukuria e garës. Ja intervista e plotë për “Vipsport.al” e mesfushorit-sulmues të Kamzës:
Ermir, sa ka ndikuar në gjendjen e skuadrës ajo pikë e marrë në Durrës, ku i kishit të gjitha mundësitë të fitonit?
Ka ndikuar shumë pozitivisht. Për ne është një pikë me shumë vlera, edhe pse ishim duke fituar deri në çastet e fundit dhe mund të ktheheshim nga Durrësi me 3 pikë. Teuta na mori barazimin në fund.
Si po e prisni ndeshjen e radhës me Luftëtarin, që lufton për të shkuar në Europë?
Nuk ka diskutim që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe shumë e fortë për ne. Luftëtari është ekipi që bën lojën më të bukur në Superiore dhe me meritë është këtu ku është. Do të jetë një ndeshje e vështirë, e ritheksoj, por duhet ta kalojmë me sukses.
Në krahasim me Vllazninë dhe Teutën, dy rivalet tuaja, në cilat pika është më e fortë Kamza?
Kamza e ka treguar gjatë gjithë kampionatit se është një skuadër më e fortë se Vllaznia dhe Teuta. Kamza luan futboll më cilësor, edhe pse dy skuadrat e tjera janë me traditë në futbollin shqiptar. Jemi skuadër më e fortë në kompleks.
Çfarë ndikimi ka pasur gjykimi në ecurinë e skuadrës tuaj deri tani?
Ka pasur ndikim, sepse na janë hequr pikë. Në disa ndeshjes radhazi Kamza ka vuajtur gabimet e gjykimit, që janë bërë me dashje dhe pa dashje. Jemi penalizuar nga gjykimi, kjo është e qartë.
U druheni aleancave, a është e paragjykuar Kamza në luftën e mbijetesës?
Nuk dua të mendoj se do të ketë aleanca në këtë fund të kampionatit, që të ndikojnë në objektivat e ekipeve. Nëse do të ketë, patjetër që nuk është gjë e mirë, sepse do të prishej bukuria e garës.