Si po na familjarizon reforma në drejtësi, me “peshkimin”

4 Maj 2018, 23:15Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Një nga detajet më interesante që më ka mbetur në kujtesë në lidhje me kulturën tonë të ushqyerit, është historia e treguar nga një ish Drejtor i Përgjithshëm Peshkimi i kohës së komunizmit, i cili më tregonte se më shumë se 90% e karkalecave që kapte flota jonë e lodhur atë kohë, i hidheshin derrave për ushqim.

Arësyeja? Sepse në një vend që ishte në kufijte e urisë, pavarësisht se mernim çmime nga FAO për mirushqyerjen nga komunizmi (Organizata për Ushqimin dhe Agrikulturën e OKB) ne i refuzonim karkalecat. Një refuzim kolektiv, në kufijtë e një neverie kombëtare, edhe për shumë nga produktet e tjera e të shumëllojshme të detit. Sepse konsumi ynë në këtë drejtim ishte reduktuar deri tek serdelja, peshku ballgjërë (a e di kush ku mund të blihet, ende për nostlagji?!) dhe rrotull liqenit të Shkodrës krapi e atij të Pogradecit, korani e belushka. Kaq.

E gjitha kjo situatë tragjikomike, lidhej me mungesën e traditës dhe kulturës sonë gastronomike, e cila deri vonë ka qenë e lidhur me konsumin e mishit. E kjo e ka një shpjegim historik gjithashtu ndoshta. Pasi një popull që ka jetuar historikisht në një territor me mbi 400 kilometra linearë vijë bregdetare, në vend që të bëheshim peshkatarë e piratë, më së shumti u bëmë çobanë. Ka një shpjegim fantastik Eqerem Bej Vlora tek kujtimet e tij, për këtë lloj zgjedhje “dembele”, e cila vazhdon e bëhet ende në zonat rurale. Aq sa deri vonë, por edhe tani, një pjesë e lokaleve të bregdetit, në vend të prodhimeve të detit, kanë si specialitet të tyrin… mishin në hell.

Eshtë ndoshta kjo një ndër arësyet se përse në këtë stinë diskutimesh dhe debatesh për reformën në drejtësi, është krijuar një keqkuptim i madh në lidhje me çështjen e “peshqve” dhe llojet e tyre. Këtë radhë, jo rreth atyre të detrave tanë Adriatik e Jon, por rreth peshqve që simbolizojnë personazhet që pritet të kapi rrjeta e madhe e drejtësisë së re në Shqipëri, tani që ka nisur implementimi i reformës. Një figurë kjo që rifitoi një popullaritet të ri, për shkak të përdorimit të saj, nga ambasadori Amerikan Donald Lu. Në një fjalim në fund të 2017, ai tha se kishte marë premtime nga autoritetet në Shqipëri që në fillim të këtij viti, do të fillonte arrestimi i “peshqve të mëdhenj”.

Një pjesë e opinionit, tentoi që ti sfumonte pritshmëritë rreth arrestimeve të mundshme të zyrtarëve dhe drejtuesve më të lartë të mazhorancës, opozitës, apo institucioneve më të rëndësishme të vendit. Kjo pasi qelitë VIP janë bosh dhe ende asnjë prej atyre që në perceptimin e perendimorëve si “peshq të mëdhenj”, nuk ka rënë në rrjetat e “peshkatarëve të rinj shqiptarë”. Edhe disa ish drejtorë të Autoritetit Rrugor Shqiptar (njëri i PD e tjetri i LSI) dhe një ish Drejtor i Përgjithshëm Burgjesh (LSI) i dënuar tashmë për korrupsion, u konsideruan si fare të parëndësishëm për opozitën dhe mediat pranë tyre.

Kjo periudhë kaloi dhe tashmë vettingu ka filluar që të nxjerri jashtë sistemit të drejtësisë gjyqtarë e prokurorë dhe ka vënë në lëvizje prokurorinë për; hetimin e ish Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla; ish Drejtoreshës Juridiksionale me Jashtë dhe Dekriminalizimit Rovena Gashi; për pasuritë e disa gjyqtarëve e prokurorëve që nuk e kaluan vettingun; për ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri i cili sapo dorëzoi mandatin e deputetit, etj. Orët e fundit u arrestua në Gjermani pronari i një kompanie bananesh në magazinat e së cilës u kapën 180 milionë euro kokainë kolumbiane, siç edhe në Spanjë u kap koka e një rrjeti ndërkombëtar me investime të fuqishme në Shqipëri, me 1 ton kokainë dhe 1.5 milionë euro cash.

Kjo ka bërë që tashmë të hapet një debat tjetër. Bihet dakord se rrjeta ka nisur të kapi peshq. Thelbi i asaj që po shqetëson palët tani, është fokusuar tek lloji i këtyre peshqve. Nëse kemi të bëjmë në këtë rast vërtetë me “peshqit e mëdhenj” për të cilën e kishte fjalën ambasadori Lu, apo kemi të bëjmë me “cironka”? Bashkë me debatin, kur fillon e shfrenohet fantazia, atëherë diskutimi dhe pyetjet që ngrihen janë të natyrës: A janë vërtetë Llalla, Tahiri, Arbër Çekaj, etj. “peshq të mëdhenj”? Apo të tillë mund të konsiderohen vetëm shefat apo bossat e tyre. Nëse ata janë të tillë, atëhere kush janë peshkaqenët dhe balenat?

Pavarësisht keqkuptimeve, ngatërrimeve me apo pa dashje, nga djallëza apo mungesa e njohurive për peshkimin dhe gastronominë në përgjithësi, ajo që duhet pranuar është fakti se bashkë me drejtësinë e re, perendimorët me apo pa qëllim, po na detyrojnë që të zgjerojmë çdo ditë e më shumë njohuritë tona si popull, edhe në drejtim të ushqimeve të detit.

Jam i sigurtë që pas kësaj, do të jemi në gjendje që të dallojmë më qartë karkalecin nga “açuget” e sardelet”. Por, edhe llojet e tjerë të peshqve, nga peshqit e mëdhenj. Ndaj, duke nisur nga kjo verë e tutje, me siguri që turistët vendas e të huaj, do të gjejnë gjithnjë e më shumë restorante peshku në bregdetin shqiptar, e gjithnjë e më pak mish të pjekur… në hell./Alpenews.al

2 komente në “Si po na familjarizon reforma në drejtësi, me “peshkimin””

  1. luani u.s.a. says:

    z.Alfred Peza populli shqiptar qe ka perjetuar me dekada te anarkise dhe kaosit si dhe tragjedi kombetare dhe afera korruptive nga zyrtaret e larte,tani me shprese te filloj drejtesia e pavarur ne gjykata dhe preokurori ne hetime dhe arrestime e te gjithe zyrtareve te larte qe nga viti1990 deri 2018 ku nje nder ta jeni edhe Ju z.Alfred Peza sepse keni bere pasuri marramendes ilegale qe duhet nga prokuroria dhe gjykata per krime te renda ne hetime dhe arrestimin dhe ne konfiskimin e pasurise te juaj qe eshte ne vlere milione euro ne te cilen nuk keni deshmi ne prejardhjen e pasurise te juaj..!!!

  2. Spinoza says:

    Lere humorin do ta shikosh se shpejti ku do perfundosh ti dhe gjithe fara e keqe qe vodhi dhe masakroi kete popull,sa per karkalecat ai qe te ka thene duhet te kete qene coban jo drejtor sepse nje pjese shkonte per mjellezim peshku ajo qe nuk permbushte standartet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje