Provokim apo trend, kryeministrin japonez e presin në Izrael me ëmbëlsirë të servirur në këpucë

8 Maj 2018, 12:07Bota TEMA
Provokim apo trend, kryeministrin japonez e presin në Izrael me

Kryeministri japonez, Shinzo Abe, dhe bashkëshortja e tij u pritën për një darkë në rezidencën e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu.

Por ajo që ka trazuar ujërat e diplomacisë së të dy vendeve ishte ëmbëlsira e servirur në tryezë.

Abe dhe e shoqja u gostitën me një ëmbëlsirë të servirur në këpucë të zeza.

“Një vendim budallenjsh” e ka cilësuar një diplomat izraelit i nivelit të lartë që ka shërbyer më parë në Japoni.

“Kjo është njësoj sikur t’u shërbesh hebrejve çokollatë në një pjatë në formë derri. Në kulturën japoneze nuk ka gjë që përçmohet më shumë se këpucët”, tha ai.

“Asnjë kulturë nuk përfshin vendosjen e këpucëve në tryezë.  Nëse është menduar si humor, ne nuk na bën për të qeshur.

Ajo që mund të them është se ndihemi të ofenduar për kryeministrin tonë”, është shprehur një diplomat japonez për gazetën izraelite “Ynet”.

Kryeministri japonez dhe bashkëshortja e tij darkuan me Benjamin dhe Sara Netanjahun më 2 maj, gjatë vizitës së dytë zyrtare të Abes në Izrael. Darka u përgatit nga kuzhinieri i famshëm izraelit, Segev Moshe.

Në një foto që ky i fundit shpërndau në “Instagram”, ai shfaqet teksa pozon i buzëqeshur mes dy çifteve kryeministrore, të cilët qëndrojnë ulur në tryezë.

Ndërsa një tjetër foto ku tregohet ëmbëlsira shpjegon se këpuca është prej metali.

Zgjedhja e çuditshme e enës së ëmbëlsirës ka shkaktuar reagim edhe në mediat sociale.

Shumë përdorues e konsiderojnë këtë një gjest ofendues.

Në kulturën japoneze, këpucët nuk mbahen as brenda në shtëpi. Japonezët nuk i mbajnë ato brenda shtëpisë, madje disa as në zyra.

Po ashtu, vizitorët në familjet japoneze janë të detyruar t’i heqin këpucët para se të hyjnë në shtëpinë e pritësit.

Përgatiti: Gazmira Sokoli 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje