Përkundër asaj që shfaqet në publik, betejat “opozitare” të Partisë Demokratike, më shumë se sa shqetësim për qytetarët, me sa duket janë thjesht një luftë interesash dhe klanesh.
Këtë gjë e ka zbuluar padashje deputeti Myslim Murrizi gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së.
Ndërsa ka replikuar me Sali Berishën, ai ka zbuluar p.sh, se PD dhe Lulzim Basha janë duke sulmuar Ridvan Boden për çështjen e inceneratorët, dhe jo qeverinë.
“Duhet të themi dhe të mos fshihemi se administrator e kësaj kompanie(që trajton mbetejet spitalore dhe u investigua nga një televizion) është nëna e anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD-së, Fabian Topollaj, ortak i kësaj firme është vëllai i deputetit Keltis Kruja dhe vëllai i deputetes Reme Lala.
Deputetët duhet ta dinë se kjo firmë është krijuar në 3 mars 2017 kur ne ishim në çadër…ndërkohë që tenderi është marrë në dhjetor 2017.
Gjithashtu edhe një i afërm dhe shofer i Ridvan Bodes është administrator kryesor në inceneratorët e Fierit dhe të Elbasanit. Atëherë për çfarë standardesh flasim?”, ka thënë Murrizi në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së.
Çështja e hapur nga deputeti demokrat është shumë e rëndësishme pasi ajo nxjerr në pah se kush është sot PD-ja.
Një grupim interesash dhe asgjë më shumë e cila nuk është privuar nga torta e pushtetit teksa pas “Çadrës” ka rrëmbyer tendera miliona eurosh.
Ky moment ka rëndësi për të kuptuar edhe diçka tjetër. Nëse sjellim në vëmendje, PD-ja e Lulzim Bashës nuk e ka prekur në asnjë moment çështjen e mbetjeve spitalore dhe me zbulimin e emrave të pronarëve të kompanisë kuptohet pse: Ata janë të gjithë partnerë të Lulzim Bashës. E pse jo edhe financues të tij.
Ndërkohë që për inceneratorët PD-ja ka bërë një betejë deri diku serioze, pasi siç po del tani, pas inceneratorëve del emri i ish-ministrit të Financave, Ridvan Bode.
Lufta e PD-së kundër inceneratorëve është mes të tjerash edhe luftë kundër ish-ministrit të vet të Financave, që përfaqësonte dikur një klan të fuqishëm brenda partisë.
Në mënyrë djallëzore, ngjan se Lulzim Basha ka urdhëruar goditje ndaj inceneratorëve duke përmendur vetëm emrin e Arben Ahmetajt dhe Edi Ramës që kanë firmosur tenderin, por emri i Bodes ka qenë aty i nënkuptuar.
Murrizi ka bërë padashje transparencë për atë që është sot opozita dhe për të kuptuar se pas të ashtuquajturës betejë opozitare, qëndron në fakt një interes konkret i dy apo tre njerëzve.(TemA)