Kur politika bën drejtësinë dhe media, politikën!

20 Maj 2018, 13:38Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Në Shqipëri ka patur gjithmonë një tendencë, ku gati gjithkush bën çdo gjë tjetër, përveçse punës për të cilën paguhet. Pjesë kjo e një kulture, ku të gjithë marim pjesë fshatçe në punët e shtetit e qeverisë, në punët e sportit, politikës, medias, artitit, kulturës dhe ekonomisë. E kundërta e traditës së kulturës individuale perendimore, pjellë e një sistemi, shoqërie dhe marrëdhëniesh në prodhim, që nxisin specializimin dhe fokusimin e ngushtë, drejt një fushe të caktuar. Eshtë kjo arësyeja se përse emigrantët shqiptarë habiteshin aq shumë në fillim të viteve ’90, kur takonin rëndom aq shumë vendas që as nuk ia dinin emrin kryeministrit dhe ministrave të tyre.

Ndaj, po të jesh sadopak i vëmendshëm, e ta shohësh me këtë sy, duket sikur në këtë vend politikanët bëjnë drejtësinë. Gazetarët, politikën. Drejtësia, vazhdimin e politikës me mjete të tjera. Ata që mbushin kafenetë, bëjnë edhe mediat sociale, edhe analistin e komentatorin. I papuni bën qeveritarin. Qeveritari, ekspertin e fushës që mbulon. Polici bën trafikantin, e trafikanti agjentin. Biznesmeni bën specialistin. Eksperti, rojen e boss-it me diplomë false. “Profesionisti” kërkon punë, por asnjëherë nuk e pranon. Pedagogu bën sekserin. Studenti, pedagogun. Të rinjtë bëjnë pensionistin. Pensionistët, gjithnjë e më shumë të rinjtë.

Për ta “prekur” më konkretisht këtë situatë, mjafton të kesh ndjekur sadopak me vëmendje, zhvillimet e fundit rreth asaj që opozita e konsideron si audio-përgjimi i vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, në përpjekje për ta implikuar atë në një rast të supozuar trafiku droge. Me qëllimin për të krijuar nëpërmjet kësaj historie, një “tretësirë” në epruvetën që do i tregojë gjithë dynjasë, përmbajtjen e asaj çfarë po prodhon “kazani” i madh i qeverisjes socialiste.

Janë përfshirë në këtë lojë politikanë e gazetarë, janë përfolur policë e pushtetarë, janë akuzuar ministra e familjarë. Akuzues janë bërë që nga ish të dënuar për atë që akuzojnë dhe kushdo tjetër që është opozitar me qeverinë. Emisionet e debateve televizive nuk flasin prej dy javësh për asgjë tjetër. Duke e shndërruar të gjithë këtë, në telenovelën “turke” më të ndjekur të kësaj pranvere.

Pasojat janë të dukshme. Komisionet parlamentare nuk shqyrtojnë, debatojnë dhe miratojnë më projekt ligje. Parlamenti ka kohë që nuk prodhon debate politike dhe në fund të miratojë apo rrëzojë me votë, ligje. Për mediat, Shqipëria nuk ka më asnjë hall tjetër veç kësaj. Qytetarët nuk duan as punë e as zanate, veç integrim, me lutjen që politika të mos grindet kaq shumë.

Të akuzuarit e dikurshëm janë bërë tani prokurorë e japin vendime drejtësie në publik, kundër atyre që i ishin shmangur vujatjes së dënimit në një shtet tjetër. Ata që i akuzuan dikur, ish Kryeprokurorë e bashkëpunëtorë të tyre të ngushtë, tani janë të akuzuar e të pandehur dhe thuhet se ndonjëri është arratisur tashmë jashtë Shqipërisë, për tiu shmangur vuajtjes së dënimit këtu.

Kështu duket se do të vazhdojmë që të zvarritemi përgjatë historisë sonë, me shanse të humbura dhe fate të mallkuara, për aq kohë sa politikani nuk prodhon politikë por kaseta. Gazetari nuk prodhon lajme por intriga politike. I papuni nuk sheh hallin e tij, por tenton ta fusë gjithë Shqipërinë në hall. Polici nuk zbaton ligjin por meret me “maliqin”. Gjyqtari nuk bën drejtësinë, që ti fusi frikën fajtorit, dhe kështu me radhë.

Në shoqëritë dhe kombet që janë zhvilluar secili bën mbi të gjitha atë për të cilin paguhet, është investuar dhe ka bërë karrierë, në mënyrë që kur të mblidhet në darkë në shtëpi, të ketë mundësi që veç telenovelave politike, të shohi edhe një film, një ndeshje futbolli dhe një shfaqje. Apo ta mbylli e mos ia hedhi kurrë sytë televizorit, duke u marë veç me hallin a me qejfin e vet.

Ky vend do të bëhet normal, kur gjithësecili ti rikthehet normalitetit të jetës së vet. Kur qeveria të ushtrojë mandatin e fituar me votë, opozita të bëjë alternativën reale të pushtetit të nesërm, Parlamenti të prodhojë reforma e ligje, prokuroria të mbrojë akuzën në emër të ligjit e shtetit dhe drejtësia të japë drejtësi. Vetëm kështu do të ndihmojmë gjithkënd, që gjithkush meret me punën, hallin dhe biznesin e tij. Në të kundërtën, nga dëshira e të gjithëve për ti bërë të gjitha, do të vijë një moment që do të kuptojmë se nuk paskemi bërë hiç asgjë. E atëherë kur ta kuptojmë këtë, ndoshta do të jetë shumë vonë, për të gjithë./Alpenews.al

4 komente në “Kur politika bën drejtësinë dhe media, politikën!”

  1. Lumi says:

    E vertet. Eshte gjendja e paraformesimit. Nuk dihet sa zgjat e kur do perfundoje.

  2. Ton says:

    Normal se Shkumbini chanell filloi pune…

  3. Xani says:

    Po jo ore nuk ka problem qe dikush te beje dicka tjeter, nese e ben mire. Per shembull, nje piktor mund te beje rolin e kryeministrit, dhe kjo nuk do te thote sipas teje se Edi Rama qe eshte piktor nuk mund te beje rolin e kryeministrit. Por nga ana tjeter, Mendoj se e ke mire, qe piktori nuk duhet te behet politikan.

  4. sit back and relaks says:

    Si ishte ajo fjalia, i papuni e shohi hallin etij?!!!! Mund te na e shpjegoje Peza se si e koncepton ai nje te papune qe shikon hallin e tj? Nje qeveri arrogante eshte halli i nje te papuni, nje KM qe pretendon ti beje te gjitha rolet e te gjitha punet dhe nuk ben asgje eshte halli i nje te papuni, nje biznesmen qe abuzon me fondet, nje gazetar qe i lepihet dhe i behet megafon i propagandes se nje qeverisje te paafte eshte halli i nje te papuni. Nuk e kuptoj se cfare nenkupton peza me te papunin qe shikon hallin e tij, ndoshta te vuaje ne heshtje e mos te ngreje zerin se mos na i prish rehatine kategorise se njerezve si Peza apo qeveritareve?!!! Si vajti ai muhabeti i 1 milion Eurove o Alfredo? Apo dhe ty gjithe te tjeret te ka rene gruaja milionere?!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje