Pak javë më parë, Federata Maqedonase e Futbollit, nisi një shkresë zyrtare në drejtim të klubit të Kukësit, ku kërkohej që futbollistit Valon Et’hemi të bashkohej me kombëtaren fqinje, për ndeshjet që Maqedonia do të luante, ftesë kjo që as nuk u pranua dhe as nuk u refuzua nga lojtari i Kukësit.
Me publikimin e listës nga ana e trajnerit të Shpresave, Alban Bushi, u vu re që Et’hemi do të jetë pjesë e skuadrës kuqezi për 3 ndeshjet miqësore që Shqipëria do të luajë në javët në vijim, përballë Bosnje-Hercegovinës dhe Bjellorusisë.
Et’hemi ka kaluar një formë relativisht të mirë te Kukësi, duke treguar disa herë që është një futbollist me një të ardhme të mirë, ku me asistet por edhe golat e tij, ka qenë vendimtar në disa ndeshje me verilindorët dhe padyshim mbetet një vlerë e shtuar për kombëtaren kuqezi, duke menduar se mund të përfaqësonte Maqedoninë nëse do të mungonte ftesa.
Vetë Et’hemi pat pranuar për “VIP Sport”, se ai pret një ftesë nga bushi, pavarësisht se është ftuar nga Maqedonia pasi e ndiente veten shqiptar dhe si i tillë duhet të luante për Shqipërinë.