Përpjekja për t’i dhënë vendit një qeveri ka përfunduar me një përplasje institucionale.
Pasi presidenti Sergio Mattarella refuzoi kandidaturën e Paolo Savona-s për ministër Ekonomie, kryeministri i mandatuar për formimin e kabinetit, Giuseppe Conte, u tërhoq.
Tashmë përballë njëra-tjetrës janë dy partitë aleate, Lëvizja 5 Yjet e Lega, dhe Presidenca. Më i irrituar nga kjo situatë është Luigi Di Maio i Lëvizjes 5 Yjet.
“Zgjedhja që ka bërë Matarella është e pakuptueshme. E vërteta është se ata nuk e duan Lëvizjen 5 Yjet në qeveri. Jam shumë i nxehur, nuk mbaron me kaq. Kërkoj shkarkimin e presidentit”, ka thënë ai.
Edhe figura të tjera të Lëvizjes 5 Yjet e kanë përmendur mundësinë e shkarkimit të presidentit, për atë që ata e quajnë “atentat ndaj institucioneve”.
Ndërkohë, vetë Presidenti Mattarella u përgjigjet me ashpërsi kritikëve në këtë situatë. “Nuk e kam penguar unë formimin e qeverisë”, ka thënë.
Ai ka ftuar në bashkëpunim Carlo Cottarelli-n, ish-sekretar për shpenzimet publike gjatë qeverisë “Letta”. Qëllimi është të merret parasysh opinioni i Dhomave të Deputetëve.
Në këtë mënyrë, Cottarelli do të përcjellë te presidenti vullnetin e deputetëve dhe senatorëve në lidhje me mbajtjen ose jo të zgjedhjeve të reja.
Por Lëvizja 5 Yjet nuk është dakord me këtë zgjedhje. “Cottarelli nuk gëzon besimin e Parlamentit. Kjo është absurde”, është shprehur Di Maio.
Kërkesa për shkarkim (impeachment) nuk ekziston si term në legjislacionin italian. Termi i përdorur gjerësisht në anglisht (që do të thotë pengim për të ushtruar funksionin) ka hyrë në zhargonin e përditshëm si emërtesë për hapjen e një procesi kundër kreut të shtetit, por në fakt ka të bëjë me realitetin politik amerikan, ku Kushtetuta parashikon vënien e presidentit nën akuzë për dy arsye: tradhti a lartë dhe atentat ndaj Kushtetutës.
Në rastin e ligjit italian, procedura është shumë më e komplikuar. Kur kërkesa bëhet formale, mblidhet një komitet i përbërë nga deputetë dhe senatorë të zgjedhur. Komisioni me 20 anëtarë i zgjdhur nga të dyja dhomat e Parlamentit në përputhje me peshën e grupeve parlamentare, shqyrton akuzat dhe vendos nëse çështja duhet të arkivohet apo t’i kalojë për shqyrtim Parlamentit në seancë.
Në rastin e dytë, për t’i hapur rrugë hetimit duhet një maxhorancë absolute e Parlamentit (që përbëhet nga 630 deputët, 315 senatorë plus senatorët e përjetshëm). Praktikisht, duhen 477 vota për të vënë presidentin nën akuzë.
Përgatiti: Gazmira Sokoli