Një gjykatës amerikan u shkarkua nga detyra për dënimin e pamjaftueshëm që i ka dhënë një përdhunuesi. Kjo është hera e parë në 41 vitete e fundit në SHBA dhe në 80 vitet e fundit në shtetin e Kalifornisë, që një gjykatës largohet nga detyra pas një peticioni.
Fjala është për gjykatësin Aaron Persky, i cili në vitin 2016 kishte dënuar me vetëm 6 muaj burg një student të universitetit “Stanford”, Brock Turner, për abuzim seksual ndaj një vajze, pasi të dy kishin pirë në një festë.
Rasti në fjalë shkaktoi shumë polemika në SHBA, edhe për idenë e krijuar se pasanikët e bardhë, si Turner, trajtohen në mënyrë më të privilegjuar nga gjyqësori.
Kundër gjykatësit Persky nisi fushata “Recall Persky” (Shkarkoni Persky-n), e cila u drejtua nga Michelle Dauber dhe mblodhi firmat e nevojshme për shkarkimin e tij.
Vetë Persky nuk u shfaq i penduar. Pas shkarkimit, ai tha se gjykatësit marrin vendime “mbi bazën e ligjit dhe jo mbi opinionin e publikut”.
Rasti i fundit i shkarkimit të një gjyqtari në SHBA ka ndodhur në vitin 1977.
Ngjarja në “Stanford”
Në janar të vitit 2015, 20-vjeçari Turner sulmoi seksualisht një vajzë jashtë një lokali ku po zhvillohej një festë. E dëmtuara, një vajzë 22 vjeçe, ishte e dehur dhe kishte humbur ndjenjat.
Në mars 2016, Turner u shpall fajtor për 3 akuza. Prokurorët kërkuan 6 vjet burg. Por ai u dënua me 6 muaj, pasi gjykatësi Persky u shpreh i shqetësuar në lidhje me ndikimin që burgu do të kishte te i riu. Ai e agrumentoi këtë me moshën e tij të re, mungesën e rekordeve kriminale dhe faktin se si ai, edhe vajza, kishin qenë të dehur.
Turner doli nga burgu pasi vuajti vetëm 3 muaj, ndërsa emri i tij u fut në listën e agresorëve seksualë.
Viktima anonime
Rasti në fjalë bëri bujë edhe për shkak të një letre që vajza e dëmtuar, e cila mbetet anonime, i dërgoi Turner-it në sallën e gjyqit. Letra pati impakt të madh në publik dhe u shpërnda online.
“Ti nuk më njeh, por ke qenë brenda meje dhe kjo ëshët arsyeja pse jemi në këtë pikë sot”, thuhej në letër. Vajza përshkruan traumën pasi kuptoi se ishte përdhunuar.
“Gjëja e parë që mbaj mend ishte se po endesha në një korridor. Kisha njolla gjaku dhe fasha në duar e në bërryla. Mendova se kisha rënë dhe ndodhesha në zyrat e administratës së konvikteve. Isha e qetë dhe vrisja mendjen se ku mund të ishte motra ime. Më thanë se më kishin sulmuar. Nuk u shqetësova, sepse mendova se kishin ngatëruar person”, thuhet më tej.
“Ti më bëre një viktimë. Në gazeta unë e pashë veten si “vajza e pandërgjegjshme dhe e dehur”, fjalë që nisa t’i besoj për ca kohë. U detyrova të mësoj nga e para emrin tim dhe identitetin tim”, shprehet vajza në letër.
Si shkarkohet një gjyqtar nga publiku?
Rasti në fjalë ka qenë një proces i gjatë që nisi kur drejtues të komunitetit të kontesë filluan të mblidhnin firmat për peticionin. Atyre u duheshin 58 634 të tilla (20% e elektoratit) dhe duheshin mbledhur brenda 160 ditësh. Fushata u drejtua nga Michelle Dauber, profesore e të drejtës në Universitetin e Stanfordit.
“Ne shprehëm vullnetin tonë, në mënyrë që dhuna seksuale të merret seriozisht nga ata që i kemi zgjedhur me votë. Në këtë moment historik, kur femrat ndihen të sulmuara, ato së bashku me shumë meshkuj të këtij vendi morën vendimin e duhur”, u shpreh ajo pas shkarkimit të gjyqtarit.
BBC- Përgatiti: Gazmira Sokoli
Sa mire qe shkrime te ketilla ndergjegjsojne publikun shqiptar duke i treguar ndryshimin midis Botes dhe Shqiperise ne Facebook.
Pasi dihet, te ne edhe kur vret, vjedh e shet detin prape te ngrejne ne qiell kopeja albanistaneze.
Por ne SHBA edhe e zgjedh publiku dhe nuk i emerojne ca KLD-ra qe ne perberje kane njerez te zgjedhur nga politika.