Nën qiellin e Rusisë për plot 31 ditë do të shkëlqejnë disa prej “yjeve” të futbollit botëror.
Sfida kryesore do të jetë mes atyre të dyve, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, por jo vetëm, sepse janë edhe futbollistë të tjerë të cilët ëndërrojnë të çojnë në shtëpi trofeun e Kupës së Botës.
Njëri prej tyre është Neymar, i cili kërkon të hakmerret për atë figurë të shëmtuar që bëri Brazili i tij në vitin 2014 kundër Gjermanisë.
Më pas është edhe Salah, i cili do të kërkojë ta mbyllë sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke qenë ai lideri i vërtetë i Egjiptit.
Anglia dhe Franca gjithashtu janë dy skuadra që shpresat do t’i varin te Harry Kane dhe Antoine Griezmann. Në fakt, “Gjelat” janë një skuadër me shumë “yje”, ku është shumë e vështirë të veçosh njërin ose tjetrin.
“Tre luanët” krenohen me Harry Kane. Bomberi i Tottenhamit po përjeton periudhën e tij më të mirë dhe sigurisht që do të përpiqet maksimalisht që t’i dhurojë Anglisë trofeun që i mungon prej vitit 1966.
Belgjika është një tjetër përfaqësuese me shumë elementë cilësorë. Hazard, Lukaku, Mertens apo edhe De Bryne janë disa prej atyre që pritet të shkëlqejnë me fanellën e Belgjikës.
Të gjithë emra me peshë, të gjitha emra që i kërkojnë ekipet më në zë në Europë, por, për momentin, të gjithë kanë një synim të vetëm, t’i shkojnë deri në fund aventurës në Botëror. (SS)