Kumbaro dhe Gashi nënshkruajnë në Prizren kalendarin kulturor Shqipëri- Kosovë 2018

18 Qershor 2018, 18:57Kulturë TEMA

Ministrat e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi dhe Kujtim Gashi dakordësojnë kalendarin kulturor Shqipëri- Kosovë në Prizren, cilësuar si ‘kryeqyteti’ historik i kombit shqiptar.

“Kultura është hapësira jonë e përbashkët, pa kufij, kultura  dëshmon më së miri se nuk ka kufi tjetër mes Kosovës dhe Shqipërisë përveç atyre administrativë,” u shpreh ministrja Kumbaro në ceremoninë e nënshkrimit .

Në  140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit dhe në Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut, Ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro Furxhi dhe  Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi  nënshkruan sot në ambientet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Protokollin e Bashkëpunimit për Kalendarin e Përbashkët Kulturor 2018.

Ministri Kujtim Gashi e cilësoi nënshkrimin e kalendarit si një ditë të rëndësishme për të dy vendet. “Është ditë shumë e veçantë për Kosovën dhe Shqipërinë. Ky akt hap rrugë të reja të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë”, u shpreh ai.

Kalendari i përbashkët kulturor Shqipëri- Kosovë 2018 dakordëson aktivitete në fushën e trashëgimisë, që kanë të bëjnë me digjitalizimin e trashëgimisë dhe trajnime e edukim në fushën e restaurimit dhe konservimit; ekspozita në fushën e arkeologjisë dhe të muzeve; pjesëmarrje  e Kosovës në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit, që do të mbahet në Tiranë; projeksione të premierave të pesë filmave, bashkëprodhime të dy qendrave të filmit; AQSHF do të realizojë premierën e filmit pa zë “Balkan Wars”, shoqëruar me muzikë ‘live’ nga artisti kosovar Adorel Haxhiaj; bashkëpunime në fushën e librit, mes qendrave të fëmijëve, etj. Një ekspozitë e artistes Flaka Haliti do të sjellë në GKA  veprat e saj bashkëkohore duke shënuar edhe ekspozitën e parë personale të saj në Shqipëri .

Ministri Gashi nder te tjera shfaqi para medias edhe vlerësim për punën e ministres Kumbaro në raport me lobimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Ministrja Kumbaro vlerësoi skenën e pavarur të Kosovës duke u shprehur se  “Ne kemi njohur  energjinë që ka skena e pavarur e Kosovës me të cilën duam të kemi një bashkëpunim, por edhe për të mësuar më shumë sepse skena e pavarur ne Tiranë nuk e ka të njëjtën pjekuri si në Kosovë. Në konceptim tim kultura është si lumenjtë, lumenjtë kur kalojnë vijën e ujit nga një vend në tjetrin, nuk pyesin nëse ka kufi dhe as që kanë pasaportë për ta treguar, kështu që unë gjykoj që ne duhet të krijojmë të njëjtin mjedis komunikimi për kulturën, për t’iu lejuar artistëve tanë të zgjerojnë audiencat e tyre“, tha ajo.

Të dy ministrat nënvizuan se koncepti i kalendarit të përbashkët është i hapur dhe në të do të përfshihen edhe  të gjitha vendet ku ka shqiptarë.

Protokolli i Bashkëpunimit Shqipëri- Kosovë nënshkruhet për të pestin vit radhazi.

1 komente në “Kumbaro dhe Gashi nënshkruajnë në Prizren kalendarin kulturor Shqipëri- Kosovë 2018”

  1. Pilo says:

    Tani u kujtuat ju?Gjysma e 2018 iku.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje