Ndeshja mes Serbisë dhe Zvicrës në Rusi 2018 pritet të jetë ndër më të ndezurat për shkak të thumbimeve në distancë mes futbollistëve kosovarë që janë në përbërjen e helvetëve dhe lojtarëve të ekipit ballkanas.
Por sipas sulmuesit të Zvicrës me origjinë boshnjake, Haris Seferoviç, ky duel nuk është edhe aq i vështirë për t’u përgatitur nga pikëpamja emocionale sesa ai me Shqipërinë në Euro 2016.
“A ka rivalitet nga lufta? Çfarë ka ndodhur, ka ndodhur. Por unë nuk jam lindur në Bosnjë dhe nuk kam jetuar kurrë atje. Kam shumë serbë në skuadër te Benfika dhe ia kaloj mirë më ta.
Qëndrojmë bashkë, dalim bashkë, jemi kolegë. Tani është Botërori, ata duan pike, ne duam pikë. Serbi-Zvicër është një ndeshje futbolli.
Me Shqipërinë ishte e vështirë, sidomos për Granit Xhakën, i cili duhej të luante kundër vëllait të tij. Por mua nuk më shqetësonte kjo gjë as gjatë Europianit.
Për mua kundërshtari mund të jetë edhe Mali i Zi apo Kosova. Unë thjesht luaj futboll, dua të fitoj ndeshjet. Nuk më interesojnë aspak çështjet politike nga jashtë”, deklaroi sulmuesi i Zvicrës.