Gjykatësja e Apelit të Vlorës konfirmohet nga KPK: 11 denoncimet nga qytetarët, të zgjidhen në rrugë gjyqësore

25 Qershor 2018, 12:11Kronika TEMA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit cilësoi se anëtarja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi përmbushte të tre kriteret e vetingut, ndërsa denoncimet e 11 qytetarëve që vendosnin pikëpyetje mbi profesionalizmin e saj u konsideruan të zgjidhshme në rrugë gjyqësore.

Nga Vladimir Karaj

Gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Brikena Ukperaj (Lubonja), njëkohësisht kandidate për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED), u konfirmua në detyrë mëngjesin e të hënës nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

KPK, në një sallë ndryshe nga normalisht gati të zbarzët,  njoftoi se Ukperaj i plotësonte të treja kriteret e rivlerësimit, ndërsa ajo i shtohet listës së gjyqtarëve të rinkonfirmuar në detyrë. Rasti i Ukperaj ishte i veçantë për shkak të 11 denoncimeve nga qytetarët, disa prej të cilëve u paraqitën në seancë dëgjimore dhe kontestuan qëndrimin e komisionit.

Megjithatë trupa gjyqësore e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Valbona Sanxhaktari deklaroi se gjyqtarja Ukperaj pas hetimit administrativ për të tre kriteret e rivlerësimit nuk kishte probleme.

Ukperaj vetë nuk foli pas marrjes së vendimit për konfirmimin në detyrë. Më herët në seancë dëgjimore ajo vlerësoi procesin ndërsa tha se e shihte veten në “pjesën e shëndetshme” të sistemit të drejtësisë.

Akuza për Ukperaj pati nga familja Bodo e cila pretendon se “gjyqtarja kishte marrë një vendim të padrejtë në shkelje të afateve ligjore”, por ankesa e tyre në KPK kishte rënë në vesh të shurdhër. Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se familja Bodo e fitoi çështjen në shkallën e parë, por një vendim i Gjykatës së Apelit me relatore gjyqtaren Brikena Ukperaj (Lubonja) e rrëzoi vendimin për “shkelje të rënda proceduriale” dhe e riktheu çështjen për rigjykim.

KPK e cilësoi këtë rast dhe të tjerët si çështje që zgjidheshin në rrugë gjyqësore dhe jo si shkelje për të cilën gjykatësja mund të ndëshkohej.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje