Pranvera Kola
Një grup pune i ngritur nga dikasteri i arsimit do të zgjidhë ngërçin ligjor të 4000 infermierëve që rrezikojnë uljen e pagës për shkak se diplomat e tyre nuk vlerësohen më si të nivelit “Master”, por si diploma të ciklit “Bachelor”.
Gjendje kjo e shkaktuar nga përcaktimet e vendosura në ligjin e arsimit të lartë, sipas të cilit pagat e infermiereve rrezikojnë të ulen me 5 mijë lekë, pasi shkollimi i tyre 3 vite e gjysmë në teori dhe 6 muaj praktike i kryer në vitet 2002-2006 konsiderohet i barazvlefshëm me diplomën e nivelit të parë “bachelor” të “Sistemit Bolonjës” dhe jo të nivelit të dytë sikundër janë vlerësuar deri më tani.
Përballë shqetësimeve të ngritura nga infermierët, gjatë ditës së djeshme ka reaguar edhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, sipas të cilës po gjendet një zgjidhje definitive për këtë problem, por pa vënë në rrezik pagat e infermierëve të diplomuar në këto vite.
Shqetësimi i ngritur nga infermierët
Kreu i Shoqatës së Infermierëve, Elson Jaçaj, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se në rast të mos rishikimit të kësaj situate nga institucionet përgjegjëse, do të kërkojnë zgjidhje në organet gjyqësore, teksa ka konfirmuar edhe nënshkrimin e peticionit kundrejt MASR nga të gjithë infermierët që rrezikojnë nga ulja e pagave.
“Janë njoftuar që diploma e tyre e lëshuar në sistemin e vjetër 4-vjeçar nuk njihet më si diplomë e nivelit të dytë universitar, por do të njihet si diplomë “bachelor”, çka bën që automatikisht pagat e tyre të pësojnë ulje. Përpos kësaj është kërkuar që çdo pagesë e bërë nga viti 2015 dhe deri më sot do t’i kthehet mbrapsht Ministrisë së Arsimit për njohjen e kësaj diplome. Sipas tyre janë debitorë ndaj shtetit. Ndaj kërkohet, ose të kthehen paratë mbrapsht, ose të bëhet masteri që kushton mbi 2 milionë lekë. Kemi bërë një peticion, ndërkohë po mblidhen firmat në rang vendi dhe këtë çështje do ta ndjekim deri në një zgjidhje të drejtë, duke mos penalizuar asnjë nga infermierët. Nëse nuk gjendet një zgjidhje sigurisht do t’i drejtohemi dhe gjykatës për këtë çështje”, bën me dije Jaçaj.
Sipas tij, ligji ka efekte paravepruese, çka bën që infermierët të rezultojnë debitorë në sistem.
Reagimi i MASR
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i dikasterit të arsimit, zyrtarët e të cilit kanë pohuar se kanë nisur verifikimet përkatëse për këtë problem të krijuar në pagat e infermierëve, teksa do të gjendet edhe zgjidhja definitive ligjore për rregullimin e kësaj situate.
Sipas burimeve zyrtare të këtij institucioni, grupi i ekspertëve tashmë ka nisur nga puna për zgjidhjen e kësaj çështjeje, e cila do të jetë në favor të infermierëve. Duke konfirmuar kështu se pagat e tyre nuk do të pësojnë ulje, pavarësisht kohës kur kanë marrë diplomën.
“Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë po ndjek me përparësi çështjen e njohjes së diplomave të infermierëve që kanë përfunduar studimet në vitin akademik 2002-2006. Së bashku me Universitetin e Mjekësisë jemi në diskutime për t’i dhënë një zgjidhje definitive kësaj çështje sensitive për rreth 4 mijë infermierë. Sigurojmë infermierët se nuk duhet të kenë asnjë shqetësim për pagat e tyre dhe as për kohëzgjatjen dhe vitet e studimit, pasi jemi duke i dhënë një zgjidhje ligjore kësaj çështje”, saktësohet në reagimin zyrtar të MASR.
Më tej dikasteri i arsimit bën me dije se ka ngritur një grup pune për rastin konkret që është në kontakt të vazhdueshëm edhe me Ministrinë e Shëndetësisë për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe efikase në favor të infermierëve.(DITA)