Nga Brunilda Muceku
Në sallën me titullin ‘American Corner’ në Pallatin e Kulturës “Hasan Prishtina” të qytetit të Kukësit, është shfaqur dje pasdite filmi-dokumentar “Bomba e gënjeshtërt e djemëve të Hasit” kushtuar ngjarjes së rëndë të 24 qershorit të vitit 1983 në Has. Dokumentari është pjesë e ciklit historik të emisionit tashmë të konsoliduar “Përballje me të kaluarën’ që është transmetuar me shumë sukses në Radio Televizionin Publik Shqiptar, nën kujdesin e posacëm të Drejtorit të Përgjithshëm të këtij televizioni, z. Thoma Gëllçi. E vërteta është se kjo nismë me peshë historike për kombin shqiptar është mbështetur që në krye të herës nga OSBE dhe posacërisht nga shefja e Departamentit të Demokratizimit pranë kësaj organizate, Cluadia Vollmer.
Autoritete të qytetit të Kukësit, shkrimtarë, gazetarë, drejtues të shoqatave të Perndjekurve Politikë dhe dhjetra të rinj të qytetit, u bënë së bashku për të mësuar por dhe për të rikujtuar ngjarjen si ajo ka ndodhur. Dokumentari nën autorësinë e përbashkët të gazetarëve të njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Stafa (Doktore e Shkencave Historike), bën fjalë për historinë tragjikë të disa të rinjve në Has, të cilët u dënuan me pa të drejtë nga regjimi i kohës. Ishte viti 1983; udhëheqja komuniste po përgatiste pasardhësin e mundshëm, Ramiz Alia. Në 24 qershor të po atij viti, ai niset në një tur vizitash në verilindje të Shqipërisë, dikur bastione të rezistencës antikomuniste.
Ramiz Alia kish qenë partizan në ato vise dhe prej lufte ruante mjaft kujtime të mira për atë zonë trime. Këtë do e tregojë edhe në momentin më delikat të ngjarjes, kur Sigurimi i Shtetit i sugjeron të fshihet në makine ndërsa ai i vendosur për të vazhduar turin, propozon të vizitojë një familje lufte, për të cilën ruante në kujtesë çaste të paharrueshme. Por çfarë kish ndodhur? Ndërsa forcat e sigurisë merreshin me mbarëvajtjen e këtij takimi, dikujt nga një familje që prej
kohësh njihej si antikomuniste, iu gjet një bombë në xhep. Ngjarja mori përmasa të paimagjinueshme. Ishte provokacion, thonë dëshmitarët e kohës por dhe familjarë të të dënuarve në këtë ngjarje, për të nisur një serial krimesh të rënda në këtë zonë. 40 persona, pjesmarrës në atë miting u arrestuan. Ata ishin kryesisht nga fisi Dauti, Sefolli dhe Mazreku. Akuza ndaj tyre ishte: “pjesmarrje në një grup terrorist të lidhur me UDB-në jugosllave me qëllim kryerjen e një atentati ndaj Ramiz Alisë”.
Në fund pas një gjyqi që ndiqej edhe nga udhëheqja shqiptare, dy veta u pushkuatuan, (Man Dauti dhe Uk Dauti)të tjerët u dënuan me nga 25 vjet heqje lirie. Për të rinjtë e qytetit por dhe të ftuarit e tjerë, kjo histori solli në memorie çaste emocionale të jetës në atë kohë. Shumëkush u mundua të sillte nga një pasazh për të rindërtuar ngjarjen por dhe të rinjtë ishin interesantë në pyetjet e tyre duke mos lënë më së shumti asnjë episod pa u ndriçuar. “Ne duhet të rrëfejmë’, u tha në sallë “në mënyrë që historia të dëgjohet”. Kur ajo dëgjohet sekush prej nesh mund të reflektojë. Mund të reflektojë për të djeshmen, në mënyrë që të jetojmë në paqe të sotmen, me një qëllim të madh, për të ndërtuar të ardhmen.
Njohja e së kaluarës, thanë të ftuarit i bën mirë njeriut e po aq mirë një kombi, të cilit pas kësaj, për të, e nesërmja pritet të jetë më e mirë. Të bukura dhe të mbushura plot emocion ishin edhe fjalimet epike të familjarëve të viktimave, nga familjet Dauti, Sefolli dhe Mazreku, të cilët falenderuan grupin e punës, gazetarët Iv Kaloçi, Dritan Xhemalaj, operatorin Gjergj Reveli, si dhe edituesin në postproduction Gjergji Pano, autorët e filmit Dashnor Kaloçi dhe Monika Stafa, por dhe drejtuesin e këtij eventi, shkrimtarin, studjuesin dhe publicistin e njohur, Petrit Palushi. Skuadra e punës ka nisur sakaq përgatitjet për shfaqjen e promovimin e dokumentarëve të tjerë me mbështetjen e bashkive të rretheve në të gjithë Shqipërinë.