Mario Mandzukic dallohet për shpirtin e tij të sakrificës. Pavarësisht shikimit të tij të rreptë, që kurrë nuk shoqërohet me një buzëqeshje, ai është gjithnjë i pari që vihet në dispozicion të grupit. Qoftë kjo të Juventusi, apo te Kroacia.
Iniciativa e fundit e futbollistit është për t’u veçuar. Sulmuesi kroat vendosi që t’u dhuronte një ekran gjigant banorëve të Slavonski Brod, qyteti i tij i origjinës, ku ata ndoqën kualifikimin e Kroacisë kundër Rusisë. E tani do të bëjë të njëjtën gjë, edhe për sfidën gjysmëfinale që kombëtarja ballkanase do të luajë kundër Anglisë.
Mandzukic shpenzoi për këtë ekran gjigant 4 mijë euro dhe sigurisht që harxhim i tillë nuk e bën atë hero. Gjithsesi duhet vlerësuar gjesti i bërë duke qenë se ai gjithnjë i gjendet afër banorëve të vendlindjes së tij.
E gjithë Kroacia është në delir, por edhe ankth duke qenë se të mërkurën do të luhet për një biletë në finalen e madhe të Kupës së Botës. Dhe të arrijnë aty, është ëndrra e çdo futbollisti.
“Mos u shqetësoni, unë dhe skuadra kemi akoma për të dhënë ndaj Anglisë. Do të luftojmë deri në fund, dhe në atë rast nëse humbasim askush nuk mund të na kritikojë”, u shpreh Mandzukic.