Sulmet kibernetike: Faqja e njohur e shërbimeve në Shqipëri u sulmua 2.5 milionë herë

16 Korrik 2018, 08:31Hi-Tech TEMA

Sulmet kibernetike nuk janë diçka e pazakontë sot.

Mijëra faqe të rëndësishme të institucioneve ndërkombëtare, kombëtare apo edhe bizneseve bëhen pre e këtyre sulmeve çdo ditë dhe jo të pakta janë rastet kur barrierat e sigurisë thyhen.

Shqipëria nuk është e izoluar nga këto sulme. 

Një raport i Agjencisë Kombëtare Shoqërisë së Informacionit bën me dije se portali E-Albania u sulmua jo pak por 2.57 milionë herë në vitin  2017 nga hackerat,  dhe në të gjitha këto raste është garantuar mbrojtje nga ana e sistemeve të sigurisë.

“Gjatë vitit 2017, Sektori i Sigurisë mbrojti plotësisht portalin e-Albania nga 2.579.000 tentativa sulmesh kibernetike nëpërmjet sistemeve të saj të mbrojtjes, si dhe burimeve njerëzore.

Sa i takon 420 faqeve zyrtare të cilat hostohen në serverët tanë, është regjistruar 1 sulm drejt faqes www.ambasadat.gov.al, i cili nuk arriti të realizohet plotësisht, pra mbeti thjesht si një incident pa rezultat pozitiv” thuhet në raportin e AKSHI-t.

Sot E-Albania është ndoshta faqja më e rëndësishme në vend sa i përket shërbimeve që ofron në interes të institucioneve publike mes njëri-tjetrit, institucioneve dhe biznesit apo institucioneve dhe individëve.

Në fund të 2017 në këtë faqe ofroheshin 527 shërbime elektronike si dhe u regjistruan 151 mijë përdorues të rinj duke e çuar totalin në 391 mijë përdorues.

Sipas shifrave zyrtare numri i institucioneve të ndërlidhura në Platformën Qeveritare të Ndërveprimit arriti në 47 ndërkohe që vihet re një rritje e numrit të transaksioneve të kryera në platformë.

“Gjatë vitit 2017 pati rritje të numrit të transaksioneve të kryera në platformë: Shifra 26.624.830 transaksione është mbi 1.000.000 herë më shumë në krahasim me vitin 2016.

Risia më e rëndësishme e portalit gjatë vitit 2017 ishte vula dixhitale dhe moduli i administratës publike për nxjerrjen e dokumenteve administrative për qytetarin.

Punonjësve të administratës publike në sportele iu mundësua aksesi i gjenerimit të 29 dokumenteve me vulë dixhitale për qytetarin, duke mos ia kërkuar më atij gjatë aplikimit për shërbime të ndryshme” thuhet në raport.(monitor)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje