“Newsweek”: Shkëmbimi i territoreve, zgjidhja e pavarrosur ende!

9 Gusht 2018, 18:19Rajoni TEMA

Natyra e vështirë e mosmarrëveshjes, që zgjat prej dekadash në Ballkan, po detyron ligjvënësit të marrin në konsideratë zgjidhje që komuniteti ndërkombëtar i ka shmangur prej kohësh.

Kështu e fillon shkrimin e saj “Newsweek”, që nënvizon se Serbia ka punuar në heshtje për një shkëmbim territoresh me Kosovën, e duket se propozimi nuk është i varrosur. Kjo do të bënte që pjesë të Veriut të Kosovës të këmbeheshin për një copë të Serbisë Jugore.

Ripërcaktimi i kufijve mund të hapë rrugën që Serbia të njohë Pavarësinë e Kosovës, gjë që do t’i çonte të dyja vendet më afër qëllimit të tyre për t’iu bashkuar BE-së.

Qëndrimi i presidentëve Vuçiç dhe Thaçi, tashmë është i ditur, ndërkohë që SHBA dhe BE deri më tani janë shprehur kundër rishikimit të kufijve, që do të ndanin komunitetet etnike.

“Është si të hapësh ‘kutinë e pandorës’ për precedentë të rrezikshme për vende si Ukraina, etj.”, thotë Ricard Kramer, ekspert në Institutin e Kërkimeve për Politikat e Huaja në SHBA.

Disa analistë argumentojnë se, një shkëmbim territoresh do të ketë pasoja në të gjithë rajonin, me Bosnje-Hercegovinën më të rrezikuarën. Edhe Kisha Ortodokse serbe e kundërshton idenë, pasi pjesa më e madhe e trashëgimisë së saj kulturore është e përhapur nëpër Kosovë, e çdo vendim që do të çonte në njohjen e Kosovës nuk është i pranueshëm për të.

Por, ideja po bëhet gjithnjë e më e pranueshme në qarqet politike në Uashington, e madje edhe mes disa politikanëve në Prishtinë.

Sir Ivor Roberts, ish-ambasador britanik në Jugosllavi, ka argumentuar publikisht se një shkëmbim territoresh do të ishte e vetmja mënyrë për të bindur Serbinë të njohë Kosovën.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk iu është përgjigjur kërkesave për koment për këtë propozim. Deri më tani, SHBA ka kundërshtuar ndarjen, por disa analistë thonë se kjo po ndryshon nën administratën e presidentit Trump. Në një intervistë dhënë në korrik, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie refuzoi të përjashtonte mundësinë, që Uashingtoni mund të mbështeste ndarjen e Kosovës.

1 komente në ““Newsweek”: Shkëmbimi i territoreve, zgjidhja e pavarrosur ende!”

  1. Kasandra says:

    Ndarja e Kosovës?
    Nuk mund të mos indinjohesh kur shikon që shkaktarët e coptimit të trojeve shqiptare në gjashtë shtete në vend të korrigjimit të asaj padrejtësie sot kërkojnë nga ne zgjidhje “gjithëpërfshirëse” që me gjuhën e zotit “Newsweek” do të thotë që shqiptarët ta paguajnë njohjen e pavarësisë nga Serbia dhe hyrjen në BE me troje shqiptare. E ka të lehtë “Newsweek” të shkëmbej “copa”. As patatet nuk shkëmbehen me patate. E pra ato “copa” janë të gjitha troje shqiptare të pa përshtatshme për”swap” (shkëmbim i përshtatshëm). Nuk është mosmarrëveshje dekadash por padrejtësi shekullore që kur e lanë Shqipërinë cung, një trup pa kokë, pa duar e pa këmbë në luftë të paepur për të drejtat kombëtare e njerëzore për dinjitet e përparim.
    Nuk mund të mos indinjohesh kur shikon që ata që shkaktuan këtë tragjedi shqiptare dhe kanë lejuar një shekull pastrimin etnik të trojeve shqiptare dhe zëvendësimin me kolonë në vend që të bëjnë drejtësi sot kërkojnë nga shqiptarët “zgjidhje të pranueshme” për të dy palët që do të thotë të njohësh e të legalizoshë gjithë aktivitetin serb për përvetësimin e trojeve shqiptare. Kjo vlen edhe për fqinjët e tjerë.
    Të pranoshë shkëmbimin e trojeve shqiptare do të thotë t’i veshë kapak rrugës së bashkimit të trojeve shqiptare në kufijtë e tyre etnikë sipas deklaratës së pavarësisë së vitit 1912 dhe të pranoshë rrugën e tradhëtisë, të pranoshë “copat” e mbetura e të tkurrura nga fqinjët që i mbajnë akoma në zotërim. Fqinjët mezi presin që ta katandisin gjelin jo në një thellë po në hiç, nëse lejohen në vend që të reflektojnë për padrejtësitë e tyre ndaj shqiptarëve. Tani tallen me ne, kërkojnë që tu japim copa trojesh shqiptare me vullnetin tonë. Kush lëshon gishtin i marin dorën. Mos i cytni shqiptarët deri aty ku nuk mbanë! Me hir a me pahir drejtësia do të bëhet. Kasandra.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje