Një hetim zbuloi dy javë më parë se një universitet mjekësor në Japoni kishte manipuluar testet e pranimit të kandidateve femra. Universiteti Mjekësor i Tokios, më prestigjiozi në fushën e mjekësisë në Japoni, e kishte bërë këtë diferencim të padrejtë për 10 vjet me radhë, madje stafi kishte pranuar ryshfet për të fryrë artificialisht rezultatet e kandidatëve meshkuj. Pas zbulimit të skandalit, universiteti kërkoi falje.
Më shumë sesa mundësinë që iu hoq mijëra vajzave për t’u bërë mjeke, skandali zbulon një problem që i ka rrënjët thellë në shoqërinë japoneze: seksizmin. Shumë japonezë mendojnë se femrat nuk kanë nevojë të avancojnë në arsimim apo t’u jepen të njëjtat shanse si meshkujve në vendet e punës, pasi në mënyrë të pashmangshme, ato do të largohen kur të martohen apo të bëhen me fëmijë.
Qeveria japoneze është pëpjekur ta ndryshojë këtë mentalitet dhe të krijojë kulturën e krijimit të familjes dhe paralelisht edhe karrierës, por jo pak raste kanë treguar se ritmi me të cilin po ndryshojnë gjërat është tepër i avashtë. Sipas Zyrës për Barazinë Gjinore, mjeket femra përbënin vetëm vetëm 21% të numrit total të mjekëve në vitin 2016.
Në prill të këtij viti, Junichi Fukunda u detyrua të largohej nga posti i zv.ministrit të Financave, pasi u akuzua nga një gazetare për sjellje të pahijshme ndaj saj. Pavarësisht se gazetarja kishte regjistrimin e bisedës së bërë me Fukundën, ai nguli këmbë se nuk i kishte kërkuar t’i prekte gjoksin, duke i lënë të kuptonte se dëshironte të kishin një raport intim. Përpjekja e Fukundës për ta menaxhuar skandalin u bë e pamundur kur shefi i tij, ministri Taro Aso, u bë pjesë e debatit duke shprehur qëndrimin se kolegu mund të kishte rënë në një grackë, madje shtoi se ngacmimi seksual nuk është krim. Një grup politikanesh femra organizuan një protestë para misnitrisë, duke mbajtur në duar posterat e lëvizjes #MeToo. Si përfundim, ministria njoftoi se të gjithë zyrtarët e saj do të deyroheshin të ndiqnin kurse edukuese mbi ngacmimet seksuale në vendin e punës.
Duke ardhur te rasti i studenteve që iu hoq mundësia të bëheshin mjeke, shoqëria japoneze u gjet sërish në një debat të ngjashëm. Hetimi ndaj universitetit nisi mbi akuzat për korrupsion dhe u nxit nga rasti i djalit të Futoshi Sanos, një ish-drejtor në Ministrinë e Arsimit, i cili dyshohej se kishte dhënë suvencione me vlerë 35 milionë euro në këmbim të një vendi për të birin.
Por hetimi i nisur zbuloi edhe parregullsi të tjera. Kandidatët meshkuj konsideroheshin shpesh prioritet dhe u shtoheshin pikët në testet e pranimit për t’iu garantuar një vend në universitet në këmbim të donacioneve të prindërve, ndërsa vajzave u uleshin pikët, në mënyrë që kuota e tyre të mos e kalonte 30%-shin e totalit.
Drejtuesit e universitetit e kishin organizuar një skemë të tillë, mbi bindjen se doktorët meshkuj ishin më të preferuar, pasi femrat do të duhej ta linin profesionin pasi të martoheshin apo të lindnin fëmijë. Universiteti ka një rrjet të tërë spitalesh dhe i druhej shkurtimit të stafit në rast se do të kishte një numër të madh mjekesh femra.
“Është një fenomen japonez i tipit maço”, thotë Noriko Hama, profesore e ekonomisë në Doshisha University, në Kioto. “Meshkujt janë më të prirur drejt sjelljeve të pahijshme sepse e kanë keqkuptuar etikën e gjinive”, thotë ajo.
“Është kulturë e përhapur gjerësisht në Japoni, por po del më në pah kohët e fundit për shkak të vullnetit për t’i denoncuar rastet”, shton Hama.(TemA TV)