Tiémoué Bakayoko është një futbollist i ri i Milanit. Marrëveshja është arritur mes klubeve të Chelsea-s dhe të “Djallit” dhe mesfushori do të huazohet për një vit e pastaj italianët do të kenë të drejtën që ta blejnë atë.
Për 1 vit huazim, Milani do të paguajë 5 milionë euro në një sezon, ndërkohë që 35 milionë të tjera do t’i paguajë kur të blejë kartonin e futbollistit 24 vjeçar.
Si fillim, lojtari do të kryejë vizitat mjekësore dhe pastaj do të hedhë firmën në kontratë.
Pasi kuqezi u veshën Tiémoué Bakayoko e Gonzalo Higuain, kërkesa e fundit e teknikut Genaro Gattuso është një sulmues krahu, të cilin kalabrezi e shikon si një përforcim me mjaft rëndësi për skemat e tij.
Suso dhe Çalhanoglu janë titullarët hë për hë në këto pozicione por nuk mjaftojnë.
Një nga objektivat e “Djallit” në këto orë të fundit të merkatos është Samu Castillejo.
Akordi u gjet me Villareal-in që ka në pronësi kartonin, dhe në operacion u fut edhe Carlos Bacca. “Djalli” do të marrë Castillejo-n të huazuar dhe më pas do të paguajë 18 milionë euro, shto këtu edhe kartonin e Bacca-s.