Njësoj si të ecësh mbi vezë: Italianët në panik nga shembja e urave

17 Gusht 2018, 10:46Bota TEMA

Tragjedia në Xhenova pak ditë më parë nxori në pah mangësitë dhe rrezikun që fsheh infrastruktura rrugore e ndërtuar rreth 50 vjet më parë.

Ekspertët e rrugëve ngrenë alarmin në lidhje me numrin e madh të urave të ngjashme me urën Morandi në Xhenova.

“Në Itali, urat që e kanë kaluar afatin e përdorimit dhe duhen restauruar janë rreth 10 mijë. Elementët bazë të rrezikut të shembjes janë volumi i trafikut ditor dhe koha e gjatë e përdorimit.

Kur kjo e fundit i kalon 50 vjet, strukturat që preken nga volumi i lartë i trafikut, përbëjnë rrezik.

Ligji që rregullon ndërtimet e reja, që përfshin shkallën e sigurisë së strukturës, është miratuar në vitin 2008”, thotë për agjencinë ANSA, drejtori i Institutit për Teknologjinë e Ndërtimit, Antonio Occhiuzzi.

Por më i madh akoma, alarmi është te vetë përdoruesit e rrugëve.

Në rrjetet sociale janë me mijëra postimet e fotove të urave, për të cilat përdoruesit pyesin nëse janë të sigurta.

“Psikoza e shembjes” që ka mbërthyer italianët në rrjet përkthehet në zemërim dhe denoncim.

“Bëni kujdes! Denonconi të gjitha urat dhe infrastrukturën në gjendje avarie.

Shpërndajini dhe bëjini tag Danilo Toninellit (ministri i Transportit)”, shkruhet në një mesazh që shoqëron një video, pamjet e së cilës tregojnë se si pjesë të një ure bien thjesht duke e prekur me një shkop.

Të tjera pamje tregojnë shtyllat e brendshme të urave të pushtuara nga ndryshku, që më pas hedh poshtë copa betoni.

“E bëj këtë rrugë përditë. Dhe shpresoj që denoncimet e qytetarëve të dëgjohen. Sa struktura janë në gjendje të tillë”, thotë një tjetër përdorues.

Një zinxhir i gjatë komentesh e replikash pason çdo foto e video. Mes tyre nuk janë të paktë ata që ngrenë zërin kundër spekulimit shumëvjeçar në sektorin e ndërtimit dhe korrupsionit. (TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje