Nuk ka më endje nëpër institucione, pagesa e barrëlindjes tanimë “online”

27 Gusht 2018, 17:16Sociale TEMA

Gratë shtatzëna dhe nënat me fëmijë të porsalindur nuk do të enden më nëpër zyrat e shtetit për të përfituar pagesën e barrëlindjes.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë përmes një shkrese zyrtare që i gjithë procesi i përfitimit të barrëlindjes të kalojë në mënyrë elektronike, pa qenë e nevojshme që përfitueset të paraqiten fizikisht në zyrat e shtetit.

Përfitimi i barrëlindjes është aktualisht një procedurë e ngarkuar burokratike, që detyron gratë shtatzëna të sorrollaten nëpër shumë institucione, si dhe të presin radhë të gjata nëpër sportelet e shtetit.

Nënat për të përfituar pagesën e barrëlindjes janë të detyruara që çdo muaj të marrin një raport në konsultore, të cilin duhet ta dorëzojnë tek punëdhënësi. Nga ky i fundit ato duhet të marrin listëpagesën, të cilën më pas duhet ta dorëzojnë po fizikisht tek Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Kjo procedurë, përveçse i detyron nënat që sapo kanë lindur apo gratë shtatzëna që të enden në disa institucione, vonon edhe marrjen e pagesës me disa muaj.

Ministria e Financave i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë për këtë arsye që, çdo dokument i detyrueshëm për përfitimin e barrëlindjes të lëshohet në mënyrë elektronike në të gjithë zinxhirin e institucioneve, nga konsultoret deri tek Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Paralelisht, pagesa e barrëlindjes nuk do të kalohet më në llogarinë e punëdhënësit, por do të shkojë direkt në llogarinë personale të grave përfituese.

Sipas Ministrisë së Financave, ky lehtësim nga i cili përfitojnë mbi 20 mijë gra në vit është pjesë e reformës rregullatore për thjeshtimin e procedurave për biznesin dhe qytetarët.

1 komente në “Nuk ka më endje nëpër institucione, pagesa e barrëlindjes tanimë “online””

  1. Fatmir says:

    Kjo procedur ekziston me krijimin e shtetit

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje