Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve (FDA) në SHBA po vlerëson ndalimin e plotë të cigareve elekrtonike në tregun amerikan. Sipas FDA-së, shkak mund të bëhet bumi i këtyre cigareve te të rinjtë.
Shitjet e cigareve elektronike nisën të rriten vitin e kaluar, duke u nxitur edhe nga kompani të reja që hodhën në treg një larmi versionesh.
FDA-ja e sheh shpërndarjen e cigareve elektronike te të rinjtë si epidemi dhe u ka dhënë prodhuesve të tyre 60 ditë kohë për të hartuar një plan, me të cilin të ndalohet përdorimi i tyre nga adoleshentët.
Nëse prodhuesit nuk gjejnë një zgjidhje, atëherë duhet të tërheqin produktet e tyre nga tregu.
Kjo masë shtrënguese nuk do të prekë vetëm prodhuesit por edhe mbi 1 mijë shitës të nivelit të dytë, për të cilët FDA ka hartuar një letër paralajmëruese me të cilën i njeh me sanksionet që do të pasojnë nëse u shesin këtë produkt minorenëve.
I njëjti paralajmërim u është dërguar edhe rrjeteve të mëdha 7-Eleven dhe Walgreens. Ndërkohë janë vënë 131 gjoba për shitjen e këtyre cigareve te përdorues minorenë. (TemA TV)