“Mehmeti dhe Mihallaq Ziçishti zvarritën arrestimin e agjentit grek, Tefik Cangoi. Kadri Kazbiu mbuloi kontrabandën që bënte Gani Kodra me italianët”

14 Shtator 2018, 19:55Politika TEMA
“Mehmeti dhe Mihallaq Ziçishti zvarritën arrestimin e agjentit

Ekskluzive / Dokumenti “Tepër sekret” i sekretarit të parë të Korçës, Enver Halili, për Komitetin Qëndror: “Kadri Kazbiu mbuloi kontrabandën që bënte Gani Kodra me italianët në 1972-in”

Nga Dashnor Kaloçi, TemA

Vetëm pak javë pas ngjarjes së 18 dhjetorit të largët vitit 1981, kur kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit nga plumb-a pistolete në rrethana tepër misterioze për të cilat dhe sot pas 37 vjetësh vazhdohet të diskutohet ende, me porosi të Komitetit Qëndror të PPSH-së, në të gjitha organizatat bazë të Partisë, në mbarë vëndin, u mbajtën dhe u zhvilluan mbledhje të shumta, ku diskutohej; “nën frymën e fjalës së shokut Enver Hoxha, për armikun Mehmet Shehu”, të cilat do t’i shërbenin më pas Enverit për të shkruar “Tablonë Sinoptike për poliagjentin Mehmet Shehu”?!

Në të gjitha këto mbledhje, veç të tjerash, ashtu siç bëhet e ditur edhe nga një mori dokumentash me siglën “Tepër sekret”, që gjenden në Arkivin Qëndror të Shetetit, Arkivin e Ministrisë së Brendëshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, pjesmarrës e diskutantë të shumtë që kanë marrë fjalën aty, kanë hedhur lloj-lloj akuzash, me të vërteta dhe të pavërteta, denoncime, spiunime, shpifje, trillime, thashetheme, intriga, sajesa e gjithfarë u kanë ardhur për shtat, të gjitha këto në drejtim dhe kundër ish-kryeministrit të vdekur, Mehmet Shehu, familjes së tij dhe atyre që u konsideruan bashkëpunëtorë të tyre, duke përmëndur me dhjetra emra, ushtarakë, funksionarë të lartë, etj etj. 

Po kështu, këto mbledhje u intesifikuan së tepërmi, sidomos pas tetorit të vitit 1982, kur u arrestua dhe Ministri i Mbrojtjes Kadri Hazbiu, (i cili për gati tre dekada me rradhë kishte mbajtur postin delikat të Ministrit të Brendshëm), ku dhe ndaj tij, u përsërit e njejta tablo, si me ish-kryeministrin Mehmet Shehu. 

Dhe pas zhvillimit të këtyre mbledhjeve, komitetet e partisë të rretheve përkatëse, kanë hartuar një sërë raportesh me përmbledhje nga “problemet më kryesore”, të cilat më pas ia kanë dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së. 

Për të gjitha këto mbledhje, gazeta “TemA” disponon një numër të madh dokumentesh të nxjerra nga një dosje voluminoze me siglën “Tepër sekret”, ku ish-anëtarë të Byrosë Politike, sekretarë të Komitetit Qëndror të asaj kohe, si Spiro Koleka, Enver Halili, Vangjel Çerrava etj, etj, informojnë Komitetin Qëndror për mbledhjet ku kanë marrë pjesë, duke dhënë me detaje dhe hollësira gjithçka është thënë dhe diskutur aty. 

Po kështu përveç këtyre raporteve, në dosjen në fjalë, gjenden edhe një sërë raportesh të hartuara nga funksionarë të rangjeve më të ulta që nga Komiteti Qëndror e më poshtë, apo dhe raporte kolegjiale të Degëve të Punëve të Brendëshme në rrethe, shtabeve, komandave dhe komiteteve të partisë së Korpusve ushtarake, që ishin edhe njësitë më të mëdha që kishte Ushtria shqiptare asokohe. Nga kjo dosje voluminoze që gazeta “TemA” e disponon të plotë, në dy numrat e kaluar publikuam raport-informacionin e ish-anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Spiro Koleka, dërguar Komitetit Qëndror, lidhur me aktivin e partisë të rrethit të Pogradecit, ku ai ka marrë pjesë si i deleguar, më 25 shtator të vitit 1982. 

Për të vazhduar në vijim, (në tre shkrime rradhazi) me raport-informacionin “Tepër sekret” të sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të Korçës, Enver Halili, dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së (personalisht Enver Hoxhës) lidhur me punën dhe veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit në rrethin e Korçës si dhe “implikimin” e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçorr Sheut etj, me punonjës të Sigurimit dhe persona të tjerë në atë rreth dhe më gjerë.

(vijon nga numri i kaluar)

PARTIA E PUNES E SHQIPERISE Tepër sekret

KOMITETI I PARTISE RRETHIT

K o r ç ë Korçë, më 28.10.1982

I N F O R M A C I O N

DISA PROBLEME QE DUALLEN NGA DISKUTIMI I KONKULZIONEVE TE

BYROSE POLITIKE DHE TE PLENIUMIT TE 5-të TË KQ TE PARTISE

NE ORGANIZATAT BAZE TE PARTISE TE DEGES SE PUNEVE TE

BRENDESHME DHE TE PROKURORI-GJYKATES

Për Feçor Shehun:

-Në vitin 1979 në Lezhë ka dalë një e dhënë se në zonën e gjuetisë do të vinin diversantë, ai i ka thënë kryetarit të kësaj Dege se: “Në Lezhë nuk ka pasur banda as atëhere kur ata vinin me shumicë”.

-Me veprimet që ka kryer në vitin 1954 në drejtim të bandës së Reshat Qemalit, duke mos vlerësuar të dhënat, për ardhjen e saj e duke marrë masa të dobta u vranë katër shokë.

Për Mihallaq Ziçishtin:

-Së bashku me Mehmet Shehun kanë kthyer 2-3 herë goditjen e Tefik Cangoit, i cili pas arrestimit u deshifrua agjent i zbulimit grek.

-Nuk i ka shkuar deri në fund procesit të Braçanit në vitin 1959-1960, i cili ishte në shërbim të zbulimit grek.

-Ka shkelur rregullat e regjimit kufitar duke gjuajtur në brez e zonë kufitare, bile me armë luftarake.

-Ka vajtur për darka dhe dreka në persona me biografi të keqe si në zonën e Lozhanit e gjetkë.

-Për Gjykatën e Lartë, e cila mban përgjegjësi edhe për gjykimin e puçistëve si për studimin e dosjeve së tyre ashtu edhe për gjykimin e çështjes.

-Për Prokurorin e Përgjithshëm i cili duhet të ishte më parimor dhe më barrikadë, sepse në shumë raste ato janë pronocuar me mendimet e Ministrisë së Punëve të Brendëshme.

Për Bajram Nelin:

-Ka ardhur dhe ka qëndruar 3-4 ditë në qytetin e Korçës me makinë në dispozicion në një familje me qëndrim jo të mirë moral, kryefamiljari i së cilës tani është në burg.

-Për Merdar Hasa, kryetar Dege në Gjirokastër. Ka pasur shoqëri të sëmurë me Feçor Shehun e Bato Karafilin, vriste derra dhe ua çonte në shtëpi atyre. Ishte arrogant dhe prepotent deri edhe në organizatën bazë të partisë.

Veç sa thamë më sipër, komunistët ngritën edhe këto çështje:

-Për Gani Kodrën kanë dalë të dhëna që më 1972 e implikojnë atë në kontrabandë me italianët. Kadri Hazbiu ka thënë: “e pamë, por duhet të bëjmë përjashtim”.

-Më 1979 kishim të dhënë–vazhdon komunisti Bajram Sulejmani, për kulakët e Bregut të Matës, se janë lidhje e jugosllavëve, por Feçor Shehu na e hodhi poshtë dhe u mbyll kjo çështje.

-Komunisti Kasëm Skëndo, shifrant në Degë, tha: “Në vitin 1977 jam thirrur nga Andon Deçka me porosi të Feçor Shehut dhe më është dhënë detyra të përpiloj një shifër të veçantë dyshe që nuk është përdorur deri më sot, të jetë e fortë, që mund të komunikojnë dy veta në gjuhën shqip, frengjisht, ose në një tjetër. Pasi e bëra dhe ata i vunë pseudonimin “Karadaku”, dhashë edhe shpjegimet, me urdhër të Feçor Shehut dhe të Bato Karafilit mua më transferuan në Korçë në kundërshtim me vendimin e marrë më parë në Komitetin e Partisë së Ministrisë. Për këtë më tha: “Ka porositur shoku Hysni Kapo se ti je kandidat partie”.

-Kiço Ventiku, i dënuar më 1976 me 25 vjet burg për veprimtari armiqësore ka thënë në dhomat e paraburgimit se: “Po të më jepet mundësia të takoj dhe të bisedoj me Mehmet Shehun, ai do të më kuptojë mua”.

-Komunisti Bardhosh Mamçaj tha se: “Me urdhër të drejtuesëve të Ministrisë kemi përjashtuar agjenturën e përshtatëshmne dhe

se ato kanë vënë rregull, ky është dhe sot që materialet për dyshim spiunazhi kur nuk sqarohet gjatë PP (përpunimit paraprak) që është tre muaj, të asgjesohen”.

-Komunisti Nazmi Qerreti, tha se: “Feçor Shehu na ka urdhëruar të heqim nga plani i punës mujore kapitullin për edukimin ideo-politik dhe detyrat që shtron Partia për ne”.

-Komunisti Sotir Ndrio ka thanë: “Kur arrestuam Janaq Foton më 1969 në Kamenicë, ai na tha: Juve shikoni njerzit tuaj se nuk janë në në rregull, kur ne e informuam në Ministri ata e morrën dhe e hetuan atje”.

II. PROKURORI-GJYKATE

-Në Prokurori Gjykatë dollën këto problem. Kontrolli i Prokurorit ndaj organeve të hetimit nuk i është përgjigjur në të gjitha rastet detyrave të ngarkuara nga Partia si kontroll i ligjishmërisë. Ka pasur raste që nga shokët që punojnë në sektorin e Kontrollit dhe Hetimit gjatë kontrollit të dhomave të izolimit në disa raste janë konstatuar persona të futur në to dhe nuk është lejuar të kontrollohet nga prokurori, me arsyetimin se ky i burgosur është sekret. Në këto raste nga ana e prokurorit nuk është isnistuar për të parë se ky i paraburgosur është futur ose jo në dhomat e izolimit brenda rregullave ligjore, por është besuar në thëniet e punonjësve të Degës së Punëve të Brendëshme. Kështu është rasti në vitin 1975 kur u arrestua Pirro Naçi për shkruarjen e parrullave armiqësore, prokurori nuk morri kontakt me të, mbasi nga ana e ish-zv/drejtorit të Sigurimit të Shtetit, Lirim Pëllumbi, u çua për hetim në Pogradec dhe prej andej e kthyen përsëri në Korçë, por prokurorit ju ndalua takimi me të dhe me disa të tjerë.

-Më shumë duhej të kërkohej nga prokurori për verfikimin e pretendimeve të të pandehurve dhe të mos kalohej me shpresë se ky “është armik”, pasi nga verifikimi i plotë që u është bërë thënieve të pandehurve në ndonjë rast nuk ka pasur veprimtari armiqësore për të cilën akuzohej, ndërsa akuza mbështetej në trillime e punëtorit operativ dhe bashkëpunëtorit që e kishte. Kështu në rastin e Koço Dishnicës, i cili fillimisht është marrë në arrest për luajtje bixhozi, përfundimisht do të akuzohej për agjitacion e propagandë armiqësore. Nga dëgjimi me kujdes i pretendimeve të të pandehurve rezultoi se provat ishin të krijuara dhe jo të dëgjuara siç pasqyroheshin në materialet e

çështjes hetimore, përfundimisht i pandehuri u dërgua në gjyq vetëm me kundravajtjen e bixhozit.

Zvarritjet e çështjeve kanë ardhur edhe si rezultat i praktikës së gabuar që për çdo veprim që ka të bëjë me provën e çështjes sidomos te krimet kundër shtetit, bën vetëm pas bisedës me kryetarin e Degës së Punëve të Brendëshme. Kështu megjithëse hetuesi i ka mbaruar hetimet, çështja mbahet me arsyetimin se do të analizohet nga Kryetari i Degës, i cili urdhëron mbylljen ose vazhdimin e hetimeve. Në këto raste kontrolli i prokurorit nuk ka qenë në shkallën e duhur dhe është pajtuar me këto zvarritje dhe shpesh ka miratuar edhe zgjatjen e afatit për vazhdimin e hetimeve, ndërsa dosja në gjyq ka vajtur me provat e marra që në fillim të hetimeve.

Në ndonjë çështje për krime kundër shtetit, agjitacion e propagandë, ka pasur dëshmitarë të njëjtë, me personalitet jo të mirë, që më vonë janë dënuar për agjitacion e propagandë siç është rasti i Arqile Kitës, këto veprime duhet të kishin tërhequr vëmëndjen e prokurorit dhe gjykatës.

Prokurorit i është kufizuar kontrolli ndaj dosjeve të gjykuara. Në kushtetutë prokurorit nuk i bëhet asnjëherë kufizimi në ushtrimin e kontrollit, ndërsa me orientim të Gjykatës së Lartë, gjykatat e rretheve e kanë kufizuar këtë të drejtë brenda afateve të caktuara 5-10 ditë. Caktimi i këtyre afatave është një kufizim dhe pengesë që i bëhet prokurorit për të shtruar të drejtën e kontrollit kur ta shohë të nevojëshme. Kjo çështje u është thënë shokëve të Prokurorisë së Përgjithëshme por nuk është gjetur zgjidhje.

U shpreh mendimi se sistemi i organizimit të ri gjyqësor (këshillat gjyqësore), i lë shteg subjektivizmit dhe nuk është objektiv në dhënien e drejtësisë. Këshillat gjyqësore që janë pranë gjykatës së rrethit të mos jenë të varura nga Kryetari i Gjykatës së rrethit, por të krijohen më vete. Gjithashtu për ngarkimin e gjykatës për çështje që i heton dhe i gjykon vetë, i lë akoma më shumë shteg subjektivizmit për shkak se gjyqtari që do fillojë një çështje dhe do të kryej veprime me të do të zgjidhë dhe masën e sigurimit, e cila është me pasoja për të pandehurin. Në këto raste gjyqtari është i investuar që të zgjidhë ashtu si e ka filluar dhe jo ndryshe.

U shfaq mendimi se organi i hetimit të jetë organ më vete, i shkëputur nga Ministria e Punëve të Brendëshme dhe drejtoria e Hetuesisë të varet direkt nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, me

qëllim që të ruhet sa më shumë objektiviteti në hetimin e çështjeve dhe të mos shpërndahet përgjegjësia.

Politika e dënimit në disa raste nuk ka qenë e drejtë, ka pasur çështje që mund të ishin pushuar pa u dërguar në gjyq. Po ashtu ka pasur çështje penale për krime kundër shtetit të cilat me gjithë insistimin e gjykatës se duhej të akuzoheshin edhe për tradhëti ndaj atdheut, janë sjellë në gjyq të akuzuar për agjitacion e propagandë, siç ishte çështja e Koço Dhimës. Gjithashtu në çështjen e Haxhi Baçit, Jorgo Llafazanit dhe Xhevat Zezos, hetimet janë bërë të cekta dhe në dosje nuk është pasqyruar veprimtaria e plotë agjenturore e tyre.

Në disa rate punonjësit e Degës së Punëve të Brendëshme nuk paraqiteshin në gjyq si dëshmitarë, ndonëse kanë qenë të tillë, me arsyetimin sipas orientimit të dhënë nga armiku Feçor Shehu dhe se duhet të ruhet personaliteti i tyre. Por kur është vënë në dijeni Komiteti i Partisë i rrethit nga gjykata, ky problem është zgjidhur drejt. Punonjësit e organeve të hetimit ndruheshin shumë nga pafajësitë e dhëna nga gjykata për faktin se këto çështje bëheshin problem tek ministri dhe ai të bëntë gjëmën. Këto kanë influencuar për punë negative të hetimit, i cili një pjesë të çështjeve i ka pushuar për mungesë provash, ose një pjesë i ka dërguar në gjyq vetëm me insistimin e prokurorit. Në organet e hetimit disa kundra-vajtje penale janë ndjekur vetëm me një dëshmitar dhe janë deklaruar fajtorë, pasi nga shokët e hetuesisë nuk u është thënë se kanë prova të veçanta dhe gjyqtari Kiço Treska është pajtuar me to. Po ashtu janë bërë gjyqe për 2-3 çështje me dëshmitarë të njëjtë.

Shokët e Prokurorisë nuk duhet të pranonin disa veprime jo të drejta të Hetuesisë siç kanë qenë rastet për pushimin e çështjeve me subjekt persona të organeve të brendëshme (policisë) etj dhe nuk janë çuar në gjyq.

Në disa procese gjyqësore si dhe gjatë kontrollit të prokurorit shokët e prokurorisë e gjykatës nuk janë thelluar sa duhet për të nxjerrë problem që kanë të bëjnë edhe me veprimtari armiqësore. Nga hetimi i një çështje për tentativë arratisje dhe agjitacion e propagandë ka dalë se është implikuar edhe Vat Kola, djali i shokut Marash Kola, i cili ka edhe sjellje dhe paraqitje jo korrekte për shoqërinë tonë. Marashi duhet të reflektojë për fajet e veprimet e gabuara të djalit të tij dhe megjithëse është këshilluar dhe kritikuar nga Komiteti i Partisë së rrethit dhe i Degës, si dhe nga organizata bazë e Partisë, ay mban përgjegjësi të rëndë.

Nga armiku Feçor Shehu iu është dhënë urdhëri organizatës së hetimit për mos procedimin e O. Q., e motra e N. P., e cila ishte bashkëpunëtore në një grup të organizuar për vjedhje të mëdha. Me kërkesën e prokurorit të rrethit në Komitetin e Partisë të rrethit dhe pranë Prokuroriot të Përgjithshëm, ndaj saj u filluan hetimet dhe në gjëndje arresti edhe gjykata e deklaroi fajtor.

Duke e konsideruar diskutimin e bërë vetëm si fillim të punës së tyre, organizata-bazë e Partisë vunë si detyrë që të vazhdohet puna për të ndihmuar partinë në thellimin e kësaj veprimtarie armiqësore, duke nxjerrë nga fakte të veçanta konkluzione të drejta, të rritim prokupacionin për edukimin ideo-politik me materialet e Partisë e mësimet e shokut Enver për të likujduar pasojat e kësaj veprimtarie në organin e punëve të brendëshme, gjykatë dhe prokurori, duke rritur më tej forcën zbuluese dhe vigjëlencën revolucionare.

Këto ishin në mënyrë të përmbledhur çështjet që u ngritën në Komitet dhe organizatat bazë të partisë në Degën e Punëve të Brendëshme si dhe Prokurori-Gjykatë.

Të gjitha mbledhjet u ndoqën nga të delegurait e Komitetit të Partisë të rrethit, shokë të Byrosë dhe sekretariatit të Komitetit të Partisë së rrethit.

SEKRETARI I PARE I KOMITETIT PARTISE SE RRETHIT

ENVER HALILI

12 komente në ““Mehmeti dhe Mihallaq Ziçishti zvarritën arrestimin e agjentit grek, Tefik Cangoi. Kadri Kazbiu mbuloi kontrabandën që bënte Gani Kodra me italianët””

  1. qytetar says:

    per enver halilin ose enver hoxhen se keshtu e ka pas emrin e mbiemrin ne te vertete ka pasur materiale se eshte rekrutuar nga amerikanet

    1. Toronto 123 says:

      Enver Halili ka kene (eshte) shkodran. Ka ndejte ne Tophane .
      Ka pase shume qejf me lujte bixhos (edhe me shoket e lagjes ) .
      Ia ka pase qejfi edhe me e pi nga nji gote .
      Njeri i mire dhe i respektum.

    2. syri blu says:

      Ty po te te thone qe je rot kari me siguri qe te behet qefi …… Enver Hoxha i rekrhtuar nga amerikanet eeeeeee , ata bene cmos ta hiqnin qafe kurse ai paska qene i rekrutuar , e kush i la ti gneje ti o qytetari rot kari…….

      1. qytetar says:

        O Syri i bukur blu qe pa dyshim je analfabet funksional e qorr me RR te madhe kur sdi te lexosh e kuptosh mos bej bla bla kot neper rrjete sociale.Knoje mire knoje komentin tim dhe do ta shohesh qe sbehet fjale per enver hoxhen por per enver halil hoxhen ish sekretarin e pare te vlores etj etj.

      2. qytetar says:

        o syri blu qorr dhe analfabet nuk dike as shkrim e kendim a derezi.Nuk behet fjale per enver hoxhen por per enver halilin o rrush i pa pjek

  2. Romak says:

    Dosja sekrete e plote ne duart e gazetes Tema dhe bla-bla-bla pordhe me rigon,histori koti qe s kan kurrfar interesi.

    1. pompisti says:

      Burgjet sotjane mbush me kriminela, perdhunues, hajdut, mashtrues, spitalet me te cmend, kryeqytetet kryesore te europes me prostituta shqiptare, statistika te frikshme te vetvrasjeve, dhe ju plena akoma keni moral te shkruani per kohen e komunistave.

  3. Durimi says:

    Qendrimi ambasadorit Lu nr top channel tregon fallsitetin e demokfacise te vendit qe perfaqeson dhe intrigen derkombtare te saj. Si mundet qe Sali Berisha na qenna heroi i reformes ne drejtesi?! Kjo siipas Lu-se. Nuk e dime akoma se ne cilen bote jetojme ; ketu duke patur parasysh dhe ngjerjen e 11 shtatorit sipas shkrimeve te fundit, ndersa diskutohet e shkruhet per diktaturen e Enver Hoxhes: nje vrime ne uje.

  4. Na Rrofte PPSH-ja says:

    Jam kureshtar te di sa kane hequr amerikanet te zberthejne shifren sekrete qe pergatiti Kasem Skendua, qe siç dihet ishte nje Ajnshtajn i vertete.
    Rrofte Kasemi se na e shpetoi sistemin komunist nga dhjerja definitive ne breke.

  5. ELIOT says:

    CJANE KETO THASHETHEMESH KOMUNISTASH VETEM RENNA DHE SHPIFJE …PERSE SI TREGUAN KETO NE VITET Q E NDODHEN NGJARJET SPIUNET JA FUSIN KOT MASI VDIQ MEHMETI … NJE COBAN SPIUN PER TE FITUAR PIKE SE DON TE VIEJ NE TIRANE I SAJON GJERAT ….. PO TE ISHTE KAQ TRIM KOMUNISTI PERES SJA THA ENVERIT QYSH NE FILLIM . EDHE CUNI ENVERIT NDIHMOI BABIN E PAPAVRAMIT MUZIKANTIT TE MADH TE ARRATISEJ POR ENVERI SE BERI TRADHETAR SE ISHTE CUNI I VET ..BOLE .. MJAFT MA PALLAVRA … FOLNI PER POPULLIN QE DON PUNE DHE DON TE JETOJE SI NE EUROPE PA KORRUPSIONIN E RAMES BASHES BERISHES …

  6. nxenesit says:

    Mos zini ne goje profesorin e mbrekullueshem Kico Venetikun,liceistin e shkelqyer te liceut frances te korces,qe dhe vete Spiro Konda e admironte personalitetin e tij,me shtrirjen pa limit te kultures qe posedonte.. Dielli nuk mbulohet me shoshe. Edhe kete vit ne festimin e matures se pare te shkolles Tefta Tashko ne Korce,nga ish
    nxenesit e tij u ngrit dolli e perbashket per profesorin e shumrespektuar, me admirimin e kujtimeve te paharushme qe ka lene tek nxenesit e tij,te cilet paten fatin ta degjonin ne shpjegimet e veta teper cilesore aq dashamirese karshi te gjitheve.
    E qena mesues, ben qe ky emer teper i nderuar te mos harrohet kurre, dhe aq me keq te permendet me emrat e pushtetareve qe kurre nuk ka pasur te kete pune me ta. Prezenca e thjeshtesise te ketij personaliteti qe ka lene gjurme te pashlyeshme ne qytetin e Korces si drejtues i bandes frymore te qytetit, apo si mesues i paperseritshem i matematikes dhe fizikes e se fundi, si petagog i veglave frymore ne shkollen e muzikes se Korces, nje larmi jo e zakonte per kohen qe sundonte injoranca apo interesa meskine ne zyrat e ministrise se brendeshme sakrifikuan kete vlere drite te kultures dhe jo vetem kete, por edhe plaken e gjore,tetedhjeteca vjecare qe u dogj brenda
    mbasi vec profesorit burgoset edhe motra e gjore,nje grua e moshuar me syze miopi te trasha qe sherbente vetem nenen e vet. Nje krim i llahtarshem, ” le tu ndrite atyre qe e bene”, per tja perplasur kultures dhe intelektualeve
    te tjere. Maskarada e krijuar prej tyre eshte nje njolle e zeze e pashlyeshme e qeverisjes te atyre qe krijuan gjyqin e montuar ne trajten e nje teatri gjakatar.
    Ta dine mire qe edhe mbas kaq vitesh e gjith klasa e profesorit u mblodh per tu takuar dhe festuar mbas kaq e kaq vitesh kujtoj me respektin me te madh profesor Venetikun duke i atribuar vlerat qe kane mbetur te paharruara nga brezi qe paten fatin e madh te merrnin mesimet prej tij,ndaj dhe dollia u ngrit ne kujtimin e
    paharueshem te tij.Po profesor,shpirtrat e nxenesve te tu te kane busull ne jetet e tyre,na dhe drite nga drita
    e shpirtit tend, dhe mbete nje shenjteri e kultures dhe e dashurise pa limit ndaj te gjithe nesh,nje qytetar i perkryer,i paharushem per te gjithe,kush pati fatin e madh per tu degjuar.
    I paharushem do te mbetesh pergjithmon ne zemrat tona Profesor!

  7. nxenesit says:

    Ku eshte komenti i 11. Pse nuk botohet? Eshte shkruar me gjuhe dhe permbajtje korrekte.
    Flet per nje personalitet te kultures korcare ,plotesisht i vertete,ndoshta gazeta tuaj ka zbritur goxha shkalle poshte
    do vetem sajesa me sa duket.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje