Sa e përcakton suksesin e një fëmije inteligjenca e lindur? Ekonomisti James Heckman thotë se nuk është ashtu siç mendojnë shumica. Ai thotë se ka pyetur shumë njerëz të shkolluar, sidomos politikanë dhe hartues politikash, në lidhje me raportin që ka koeficienti i inteligjencës me të ardhurat e një personi. Shumë mendojnë se inteligjenca ndikon te të ardhurat në masën 25%, të tjerë thonë se gjysma e suksesit financiar ka të bëjë me koeficientin IQ. Por të dhënat tregojnë një influencë shumë më të vogël: 1 ose 2%.
Pra nëse koeficienti IQ është një faktor me ndikim të vogël te suksesi, çfarë është ajo që i ndan njerëzit që fitojnë pak nga ata që fitojnë shumë. Ose më thjesht akoma: Nëse je i zgjuar, pse nuk je edhe i pasur?
Shkenca nuk ka një përgjigje të qartë, edhe pse fati luan njëfarë roli. Por një tjetër faktor kyç është edhe personaliteti, sipas një studimi të fundit.
Studimi që mban autorësinë e Heckman ka gjetur një lidhje mes suksesit dhe ndërgjegjes, personalitetit të karakterizuar nga zelli, këmbëngulja dhe vetëdisiplina.
Për të arritur në një konkluzion të tillë, studiuesit analizuan: koeficientin e inteligjencës, vlerësimet e testeve të standardizuara, notat dhe vlerësimet e personalitetit për një grup prej mijëra njerëzish në Britani, SHBA dhe Holandë. Disa prej të dhënave të mbledhura kishin të bënin me “ndjekjen” e vullnetarëve përgjatë dekadave nëpërmjet sasisë së të ardhurave, rekordeve kriminale, indeksit të masës trupore apo edhe vetëraportimit mbi atë se sa të kënaqur ishin me jetën e tyre.
Studimi gjeti se notat dhe rezultatet në teste parashikonin më saktë suksesin sesa rezultatet në testin e inteligjencës. Mund të duket paksa e habitshme, sepse në pamje të parë të gjithë mendojmë se të dyja këto vlerësime kanë për qëllim të matin të njëjtën gjë. Në fakt, nuk është kështu. Notat reflektojnë jo vetëm inteligjencën, por edhe atë që në studim përmendet si “aftësitë jonjohëse”, si këmbëngulja, zakonet e mira të të studiuarit dhe aftësia për të bashkëpunuar, me fjalë të tjera të qenit i ndërgjegjshëm. Në një masë më të vogël, e njëjta gjë vlen edhe për testet. Personaliteti ka shumë rëndësi.
Heckman, i cili ka fituar çmimin Nobel në vitin 2000, është themelues i Qendrës për Ekonomi dhe Zhvillim Njerëzor në Universitetin e Çikagos. Ai beson se suksesi varet jo vetëm nga aftësitë e lindura, por edhe nga ato që mësohen gjatë jetës.
Hulumtimet e tij sugjerojnë se ndërhyrjet në fëmijëri mund të jenë të dobishme dhe se personaliteti mund të “gdhendet” më lehtë se IQ. Të qenit i hapur, një tipar që përfshin kuriozitetin, lidhet gjithashtu me rezultatet në teste dhe me notat.
Megjithatë, koeficienti i inteligjencës ka rëndësi. Një person me IQ 70 nuk do të jetë në gjendje të bëjë gjëra që për një tjetër me IQ 190 janë të lehta. Heckman thotë se shumë njerëz nuk ia dalin të hyjnë në tregun e punës sepse u mungojnë aftësitë që nuk maten me testet e inteligjencës. Ata shpesh nuk dinë si të sillen me mirësjellje në intervistat e punës.
Testet e inteligjencës (IQ), të projektuara për të matur aftësitë e lindura të zgjidhjes së problemeve, duket se matin më shumë sesa zgjuarsinë. Në një studim të kryer në vitin 2011, Angela Duckworth e Universitetit të Pensilvanisë thotë se testet e inteligjencës reflektojnë motivimin dhe përpjekjet e të testuarit. Fëmijët e zellshëm dhe të motivuar do të punojnë më shumë për t’iu përgjigjur pyetjeve të vështira sesa ata që janë inteligjentë, por dembelë.
Ndërtimi i personalitetit ose disa tipareve të karakterit në shkollë nuk është gjë e lehtë. Studiuesit thonë se sa më i lartë koeficienti i inteligjencës, aq më mirë. Megjithatë, sa i përket personalitetit, ata që qëndrojnë në mes kanë më tepër mundësi: pra nuk jo aq të mbyllur sa të mos thonë atë që mendojnë dhe jo aq të hapur sa të mos pushojnë e të mos lënë të tjerët të flasin.
Një studim i ri i botuar këtë muaj në revistën “Nature Human Behavior” është fokusuar në anën e tjetër të suksesit: vështirësinë. Pas ndjekjes së rreth 1 000 neozelandezëve për më shumë se 30 vjet, hulumtuesit arritën në përfundimin se testet e gjuhës, sjellja dhe aftësitë njohëse të fituara kur fëmijët ishin vetëm tre vjeç mund të parashikojnë se kush ka më shumë gjasa të ketë nevojë për përkrahje financiare nga shteti, të kryejë krime ose të bëhet i sëmurë kronik.
(Bloomberg-TemA TV)
Kush e thote se njerezit e mençur nuk jane te pasur?!.Me pare duhet te dijme termin pasuri qe nuk eshte sasiore dhe materiale.Nje njeri eshte i pasur nese ka çfare i duhet dhe ne sasine e mjaftueshme per te çka gjenite si Einshtein e kishin dhe nuk u mungoi kurre.Perkundrazi ata ishin dhe jane aq te pasur sa i dhane njerzimit me bollek.Tekeshe disa miliona eshte thjesht nje pragmatizem egoist.